Një tjetër humbje jete është shënuar për shkak të përmbytjeve. Një 39-vjeçar në fshatin Mizë në Elbasan ka humbur jetën pasi u përfshi nga uji I përroit teksa tentonte të kalonte urën. Ndërsa prurjet e shumta kanë bërë që edhe lumi Ishëm të dalë nga shtrati
Syri TV
Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e fshatit Mlizë të bashkisë Elbasan, pasi 39-vjeçari Ilia Tahiri është gjetur i mbytur në përroin që kalonte para banesës së tij. 39-vjeçari është viktima e dytë e përmbytjeve të dy javëve të fundit. Shkak kryesor për humbjet e jetëve kanë qenë prurjet masive të përrenjve.
Momentet e para u filmuan nga kamerat e banesës, ku sipas të afërmve u pa se 39-vjeçari tentoi të kalojë urën. Banorët e zonës shprehen të tronditur për ngjarjen.
sinkron
KRUJË
Përmbytje janë shënuar në zonën e Krujës, ku lumi Ishëm ka dalë nga shtrati, ndërsa qindra hektarë tokë bujqësore të mbjella janë nën ujë në fshatin Murqinë. Edhe pse kjo zonë përmbytet disa herë në vit, asnjë masë nuk është marrë për përmirësimin e kësaj gjendjeje, e cila vijon prej dekadash.
sinkron
VLORË
Lumi Vjosë në Urën e Mifolit ka pasur rritje të nivelit të ujit, i cili ka arritur në 7.55 metra për shkak të shtimit të prurjeve.
sinkron
FIER
Edhe pse të përmbytur prej 10 ditësh, asnjë masë nuk është marrë në zonën e Fierit. Vijon përmbytja për shkak të mospastrimit të kolektorëve të ujërave të rrjedhjes dhe sasisë së madhe të reshjeve. Dhjetëra hektarë tokë të mbjella me kultura të stinës ndodhen nën ujë.
Është përmbytur edhe nënkalimi i Qarrit, pjesë e aksit të rëndësishëm kombëtar Levan–Vlorë. Për të shmangur izolimin, vetë banorët kanë hapur një kalim provizor poshtë nënkalimit, duke siguruar komunikimin minimal me zonat përreth.
LEZHË
Zonat bujqësore në Spiten vijojnë të jenë të përmbytura prej ditësh. Reshjet intensive të shiut përgjatë javëve të fundit kanë sjellë rritje të konsiderueshme të nivelit të ujit. Fermerët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet.
KUKËS
Rrugët nacionale vazhdojnë të jenë nën trysninë e rënies së gurëve, inerteve dhe dherave. Rëniet e gurëve dhe vërshimet e ujërave paraqiten më shqetësuese në disa segmente të rrugëve nacionale të Tropojës. Problematika në akset: Bajram Curri–Fierzë, Dushaj–Lekbibaj, Bajram Curri–Valbonë.
I gjithë qarku furnizohet me energji elektrike, përveç fshatit Zahrisht, Nj. Adm. Qendër Krumë; fshatrave Helshan, Kosturr, Perollaj, Nj. Adm. Golaj, bashkia Has; fshatrave Kam, Leshniq, Kepenek, Zherkë, Nj. Adm. Bytyç; fshatrave Bukovë, Demaliaj, Beg Pac, Nj. Adm. Llugaj, bashkia Tropojë.
© SYRI.net