Syri.net zbulon emrat e dy mjekëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore të cilët janë pezulluar nga detyra pasi akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën e kryer në bashkëpunim lidhur me vdekjen e 3 vjeçarit, Brian Spahiut në 28 shtator të 2023.
I mituri i cili iu nënshtrua një ndërhyrje dentare - në 14 dhëmbë me anestezi për një periudhë prej rreth 5 orë - tek Klinika “Splendent” vdiq nga shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore. Çka do të thotë infeksion i rëndë në gjak i cili ka dëmtuar organet kryesore njëra pas tjetrës.
Të pezulluar nga puna janë mjekët Elton Serani dhe Erindo Allo të akuzuar për “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i K.Penal.
Grupi i ekspertëve italianë ka konstatuar shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore, nga ana e këtyre ekspertëve.
Gjithashtu grupi i ekspertëve italiane ka konstatuar shkelje të protokolleve mjekësore nga ana e mjekëve reanimatorë të Pediatrisë, të cilët kanë trajtuar të miturin.
Nisur nga ky fakt, nga ana e organit të akuzës janë marrë si persona nën hetim , shtetasit V. H dhe D. S, me detyrë mjekë në terapinë intensive pranë Pediatrisë në QSUT, të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Neglizhenca ne trajtimin mjekësor " të parashikuar nga neni 96/1 i Kodit Penal.
© SYRI.net