Zelensky zotohet se nuk do ta humbë luftën kundër Rusisë!  Prania e trupave të huaja në Ukrainë e rëndësishme

Zelensky zotohet se nuk do ta humbë luftën kundër Rusisë! Prania e trupave të huaja në Ukrainë e rëndësishme

16:38, 24/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina do të vazhdojë të luftojë për lirinë e saj. Në një fjalim drejtuar kombit me rastin e Ditës së Pavarësisë Zelensky tha se duhet një paqe e drejtë ndërsa u zotua se shteti i tij “nuk do të humbë” luftën kundër Moskës.

"Na duhet një paqe e drejtë, një paqe ku e ardhmja jonë të vendoset vetëm prej nesh," tha ai, duke shtuar se Ukraina do t’i kundërvihet Rusisë "derisa thirrjet tona për paqe të mos mbeten të pashqiptueshme",  

"Ukraina ende nuk ka fituar, por sigurisht nuk ka humbur," vijoi ai gjatë fjalimit të sotëm (24 gusht) drejtuar kombit.

Deklaratat e Zelenskyt erdhën pasi Moska njoftoi se Ukraina kishte sulmuar objektet energjetike ruse gjatë natës, duke fajësuar sulmet me dron për një zjarr në një termocentral bërthamor në rajonin perëndimor të Kurskut.

Nuk pati të lënduar dhe zjarri u shua shpejt, bëri të ditur shërbimi i shtypit i centralit në aplikacionin Telegram. Sipas tij, sulmi kishte dëmtuar një transformator, por niveli i rrezatimit ishte brenda normës.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e Kombeve të Bashkuara (IAEA) tha se ishte në dijeni të raporteve mbi zjarrin, ndërsa drejtori i saj i përgjithshëm shtoi se "çdo central bërthamor duhet të mbrohet në çdo kohë".

IAEA ka bërë vazhdimisht thirrje që si Rusia ashtu edhe Ukraina të tregojnë përmbajtje maksimale rreth objekteve bërthamore gjatë luftës.

Festa e Pavarësisë

Ndërkohë, në Kiev sot u mbajtën festimet e Ditës së Pavarësisë, teksa vendi shënoi shpalljen e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.

Presidenti ukrainas deklaroi se se pavarësisht se pjesë të shtetit të tij aktualisht janë të okupuara nga forcat ruse, ka “vetëm një Ukrainë” dhe “ne duhet të jemi së bashku si një familje”.

Ai theksoi se prania e trupave të huaja në Ukrainë pas përfundimit të luftës me Rusinë është ‘e rëndësishme’, pasi Kievi po punon për garanci të mundshme sigurie me aleatët e tij perëndimorë.

“Çështja e pranisë në terren, siç thuhet, e çizmeve në tokë, është e rëndësishme për ne”, u shpreh Zelensky duke folur krah kryeministrit kanadez Mark Carney, i cili ndodhej për vizitë në Kiev me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

1 miliardë armatime nga Kanadaja

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, mori pjesë në festime dhe qëndroi përkrah Zelenskyt në Katedralen e Shën Sofisë, ku iu drejtua turmës

"Dua të them diçka shumë të thjeshtë dhe të rëndësishme: Kanadaja do të qëndrojë gjithmonë krah për krah me Ukrainën."

Ai njoftoi se dronë, municione dhe automjete të blinduara me vlerë mbi 1 miliard dollarë kanadezë (534 milionë £) do t’i dorëzohen Ukrainës që në shtator, raportuan mediat ukrainase. Këto dërgesa përbëjnë më shumë se gjysmën e paketës së ndihmës që ai shpalli në korrik.

I pranishëm ishte gjithashtu edhe i dërguari amerikan Keith Kellogg – për të cilin mediat ukrainase raportuan se u dekorua me “Urdhrin e Meritës”, shkalla e parë, nga Zelensky gjatë ceremonisë.

Pas falënderimeve të Zelenskyt ndaj tij dhe presidentit amerikan Donald Trump për mbështetjen, Kellogg u dëgjua t’i thoshte Zelenskyt: “Do ta bëjmë që kjo të funksionojë.”

Më 24 gusht, Ukraina  shënon ditën e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, teksa vendi po përballet me një realitet të ri si në fushëbetejë ashtu edhe jashtë saj.

Rusia tha më 23 gusht se forcat e saj në lindje të Ukrainës kanë marrë nën kontroll dy fshatra në rajonin e Donjeckut, ndërsa ushtria e Ukrainës bëri të ditur se forcat e saj kishin rimarrë një vendbanim në skajin perëndimor të rajonit Dnipropetrovskut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco