SYRI TV/ Në shënjestër vëllai i Denis Bajrit/ Pistat e hetimit të masakrës në Shkodër me 2 të vrarë e 2 të plagosur në lokalin pranë bashkisë

15:32, 08/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kur të gjithë vraponin mëngjesin e të hënës për të dërguar fëmijët në shkollë, Shkodra u përgjak sërish nga një ngjarje kriminale. Bilanci është tragjik! Dy viktima e dy të plagosur ku shënjestër dyshohet se ishte Erogen Vaso (Brajoviç), vëllai i një eksponti të arrestuar për vrasje, por bashkë me kamarieren e lokalit Meri Kaceri i mbijetoi sulmit, dhe u dërguan në spital. Shoferi i Brajoviçit Liridon Kraja alias Lushi dhe ish-zyrtari lokal Armando Pali humbën jetën. Policia arrestoi autorin që sapo ishte liruar nga qelia përmes një gjykimi me mjaft pikëpyetje. Ragip Gila 29 vjeç, la motorrin në vendin e ngjarjes dhe mori një automjet kalimtar me kërcënimin e armës për tu larguar, e pasi bën disa metra, aksidentohet. 

Nga SYRI TV

Këto janë pamjet e një tjetër masakre në Shkodër, ku bilanci është dy të vdekur e dy të plagosur nga breshëria e kallashnikovit. Liridon Kraja dhe Armando Pali që vdiqën dhe kamarierja Meri Kaceri ishin dëm kolateral, ndërsa shënjestra Erogen Vaso alias Brajoviç i mbijetoi sulmit pavarësisht se mori plagë të rënda teksa ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje stabël dhe koshient nga komunikimi me mjekët.

Si autor i dyshuar u arrestua Ragip Gila, 29 vjeç me precedent penal. 

Por si ndodhi ngjarja?
Ora shënonte 08:50 e mëngjesit të 8 shtetorit, teksa shkodranët si të gjithë vraponin për të dërguar fëmijët në shkollë. Erogen Vaso alias Brajoviç ndodhej në ambientin e jashtëm të një lokali në lagjen “Qemal Stafa”, shumë pranë Bashkisë së Shkodrës, në shoqërinë e viktimave Armando Pali, ish-anëtar këshilli bashkiak dhe ish-punonjës i IMT si dhe shoferi shënjestrës Liridon Kraja alias Lushi.

Kamerierja Kaceri u gjend befasisht gjithashtu përballë plumbave.

Lexo dhe: Shkodër - Ragip Gila dyshohet se veproi i vetëm/ Hetuesit ende s'e kanë marrë në pyetje, Brajoviç dërgohet tek Trauma

Autori mbërriti me një motor dhe skafandë në kokë, dhe në largim, ai e la motorrin ndezur dhe u largu në këmbë. Pas 300 metrash, kërcënon një kalimtar rasti me automjet, ia merr makinën dhe largohet në drejtim të zonës së njohur si zalli i Kirit.

Skafandën treguan kamerat e sigurisë nuk e heq nga koka as në automjet dhe ka dyshime se nuk donte të pikasej pikërisht nga kamerat. Udhëtimi i tij me makinë zgjat shumë pak pasi aksidentohet dhe largohet drejt lumit Kir, pikërisht në këtë zonë, ku u lokalizua dhe neutralizua nga policia.
Sipas të dhënave të deritanishme, ka dyshime që Ragip Gila ka vepruar i vetëm për të kryer masakrën, me çfarë tregojnë edhe kamerat e sigurisë në zonën ku ka ndodhur ngjarja apo që ka përshkuar autori.

Lexo dhe: Si u lirua kaq shpejt Ragip Gila nga drejtësia? Nga akuzat për armë e drogë në dhjetor 2023, te dy viktimat në 2025

Gila qëndroi vetëm 1 vit në burg, u lirua me kusht
Krimi ngre pikëpyetje edhe mbi veprimet e drejtësisë me autorin e masakrës. Më 6 dhjetor 2023, mediat raportonin me bujë një komunikatë të policisë që kishte arrestuar të riun që posedonte mjete materiale që dyshohet se do përdoreshin nga grupet kriminale. Në atë kohë u sekuestruan jelekë antiplumb, doreza, maska, paruke, municion luftarak, armë gjahu, drogë dhe sende të tjera të kundraligjshme. Materialet iu dorëzuan nga policia Prokurorisë për veprat penale për prodhim dhe mbajtje armësh luftarake pa leje, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve sportive dhe prodhim e shitje narkotikësh. 

Ndërkohë ky është vendimi i datës 4 mars 2025, që liroi nga qelia Ragip Gilën. Në dispozitivin e saj jepet dënimi me 5 vite burg vetëm për një vepër penale, nga 3 me të cilat e dërgoi policia. Gila dënohet me 5 vite burg vetëm për prodhim e shitje droge, ndërsa bien dy veprat e tjera për armët e sendet e tjera që përdoren në krime. 29 vjeçari përfitoi zbritjen me 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 3 vite e 4 muaj. Por pas qëndrimit për pak më shumë se një vit në paraburgim, edhe ky dënim zhbëhet dhe përfundimisht dërgohet për 5 vite në shërbim prove. Pa marrë parasysh faktet e mësipërme, sot do duhej që Gila që bindi gjyaktën të mos dënohej me burg, të ishte pranë shërbimit të provës, por ai shkeli pikërisht pikën 3 të këtij vendimi ku thuhet se gjatë kohës së shërbimit të provës nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale.
 

Shënjestra e dyshuar e atentatit Erogen Brajoviç është vëllai i Denis Brajoviçit, të ekstraduar së fundmi nga Dubai për llogari të dosjes “Metamorfoza”, në të cilën akuzohet për vrasjen e Gjin Ndojit alias Boriçit. Për ngjarjen e kësaj të hëne Policia po heton në dy pista, konfliktin e mundshëm mes palëve për motive të panjohura deri tani, si dhe shkaqe që mund të kenë të bëjnë me vijimin e sagës përgjakëse në kryeqendrën e veriut mes grupeve kriminale. Qëllimi kriminal i kësaj ngjarje ende mbetet mister ku nuk përjashtohet as pista e pajtimit të Ragip Gilës nga palë të interesuara për ekzekutimin e Erogen Vasos alias Brajoviç. 

Image

Ragip Gila 

Image

Erogen BrajoviqImage
Armando Pali, i vrarë në atentatImage
Liridon Kraja, i vrarë në atentat

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco