Plas sherri në Golem/ Menaxheri dhe punonjësi përplasen me pushuesit turq, arrestohen dy persona

Plas sherri në Golem/ Menaxheri dhe punonjësi përplasen me pushuesit turq, arrestohen dy persona

11:28, 21/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një konflikt fizik në një subjekt plazhi në Golem ka përfunduar me dy persona të arrestuar dhe dy të tjerë nën procedim penal, pas një përplasjeje me disa pushues turq.

Ngjarja ndodhi në ambientet e një lokali në zonën e plazhit, ku sipas policisë, një debat për motive të dobëta degjeneroi në konflikt fizik dhe gjatë përleshjes janë përdorur edhe sende të forta.

Pas njoftimit për incidentin, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh ndërhynë në vendngjarje dhe nisën hetimet për identifikimin e personave të përfshirë.

Në pranga përfunduan shtetasit D. K., 33 vjeç, dhe E. Q., 37 vjeç, banues në Durrës. Ata punonin si menaxher dhe punonjës në hapësirën e plazhit të subjektit ku ndodhi konflikti.

Sipas policisë, dy të arrestuarit dyshohet se kanë goditur me sende të forta dy pushues turq. Ndaj tyre janë ngritur akuzat për “Plagosje të rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishje të qetësisë publike”.

Ndërkohë, për dy persona të tjerë, I. Sh., 48 vjeç, banakier, dhe T. D., 49 vjeç, punonjës sigurie në të njëjtin subjekt, është nisur procedim në gjendje të lirë.

Ata dyshohen se kanë goditur dhe kanosur tre shtetas turq, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco