Me pankarta në duar ku shkruhej: “Uji asht jetë, mos na thani shpirtin” banorët e Kaçinarit në Mirditë janë grumbulluar paraditen e sotme para prokurorisë së Lezhës pasi kundërshtojnë vendimin për pushimin e hetimeve.
Prokuroria e Lezhës kërkoi për herë të dytë pushimin e hetimeve, në lidhje me koncesionin e dhënë për ndërtimin e 4 hidrocentraleve në zonën e Kaçinarit. Sipas organit të akuzës nga hetimet e kryera pas kallëzimit të banorëve, nuk janë konstatuar elementë të veprës penale të "Shpërdorimit të Detyrës" dhe "Falsifikimit të dokumenteve", siç pretendohej nga komuniteti.
Por banorët hedhin akuza se prokuroria për 6 vite nuk ka kryer asnjë hetim por vetëm u përpoq si të mbyllej historia duke fshehur shkeljet e rënda për interesat e privatit.
Krah banorëve ka qenë dhe avokati Marash Logu.
“Sjell dëmtim të rëndë të florës dhe faunës e zonës së mbrojtur. Në vitin 2019 banorët kanë bërë kallëzim penal në prokurorinë e Lezhës. Kanë kaluar 6 vite që banorët presin drejtësi dhe nxjerrjen para drejtësisë ligjore të gjithë zyrtarët që kanë abuzuar me këtë histori dhe personat privatë që kanë qenë të interesuar. Edhe pse gjykata e ka urdhëruar të kryejë hetimet dhe të nxjerrë personat përgjegjës vjen me kërkesë për pushimin e cështjes. Në 6 vite nuk u krye asnjë hetim, por vetëm u përpoq si të mbyllej historia duke fshehur shkeljet e rënda” tha Logu.
Avokati thotë se nuk ka mbyllur gojën vetëm prokuroria por dhe zyrtarë të tjerë, ndërkohë që i bëjnë presion banorëve për tu tërhequr.
“Përballë interesit privat që kanë pronarët e koncesionarit janë shurdhuar dhe verbuar të gjithë zyrtarët e shtetit. Nuk dëgjon kryetari i bashkisë, ministrja e infrastrukturës, as prokurori as gjyqtari. Nuk dëgjon askush. dhe me cfarë i kanë shurdhuar dhe verbuar e dini shumë mirë. Do vijojmë të kërkojmë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm. Të merren përgjegjësitë penale përgjegjësit. Banorët e kanë ndarë mendje se nuk do të tërhiqen as me presion, as kërcënim as kanosje as dhunë" theksoi ai.
Marash Logu denoncon se një banor i zonës është kërcënuar për tu tërhequr nga padia nga një person me precedentë në trafikun e drogës.
"Një javë më parë njëpunonjës i shoqërisë koncesionare dhunoi një banor në mësnyrë barbare e personi sot është i lirë. Nuk ndodh askund që një person që dhunon nëmënyrë barbare të jetë edhe i lirë.
Ky person në tetor të 2022 është arrestuar për prodhim dhe shitje narkotikesh, 32 kg. Kjo duhej ti bënte institucionet të alarmoheshin por heshtin të gjithë.
Vjen dikush që pretendon të ndihmojë banorët, por më pas a i bëjnëpresion apo i ofrojnë para tërhiqet. nëse janë organet e drejtësisë duhet të bëjnë drejtësi. Nëse janë organet e padrejtësisë dhe banorët të mos harxhojnë kohën kot" tha Logu.
Koncesioni për ndërtimin e 4 HEC-eve të vogla në zonën e Kaçinarit në Mirditë është dhënë në vitin 2018 dhe pas rinovimit të lejeve, Kompania “Shpërdhaza Energji”, ka nisur punën në tërren për zbatimin e këtyre projekteve.
Banorët e Kaçinarit paditën koncesionarin dhe zyrtarët e Bashkisë Mirditë që kishin dhënë lejet në Prokurorinë e Posaçme, por kjo e fundit regjistroi procedim penal për veprat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve” dhe ia transferoi çështjen Prokurorisë së Lezhës.
© SYRI.net