SYRI TV/ Drama në Burrel, digjen 5 banesa.18 anëtarë të 5 familjeve pa strehë

14:02, 13/01/2024
A+ Aa A-

Të paktën 18 anëtarë të 5 familjeve mbetën në qiell të hapur në Burrel, pasi pesë banesat e tyre u shkrumbuan nga zjarri mbrëmjen e të premtes. Zjarri përfshiu njërën nga banesat, dhe më pas u përhap në katër të tjera duke i djegur tërësisht. Familjet që mbetën pa strehë kërkojnë ndihmë nga institucionet, ndërsa zyrtarët e bashkisë Mat u shprehën se do trajtohen sipas ligjit.

 

SYRI TV

Pesë familje me të paktën 18 anëtarë, mbetën në qiell të hapur, pasi banesat e tyre në qytetin e Burrelit u shkrumbuan nga flakët.

Zjarri përfshiu fillimisht njërën nga banesat në orët e vona të mbrëmjes. Më pas zjarri është përhapur me shpejtësi edhe në banesat e tjera, ku në total, janë djegur nga flakët 5 të tilla.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse, të cilat për disa orë arritën të shuajnë flakët, të cilat shkatërruan gjithçka në pesë banesa, por fatmirësisht asnjë person nuk u lëndua. Pronarët e banesave treguan për syri tv, tmerrin e përjetuar nga zjarri, ndërsa kërkojnë ndihmë për strehim.

Deri më tani mbetet i paqartë shkaku i zjarrit, teksa dyshohet se ai është shkaktuar aksidentalisht nga një shkëndijë elektrike.

Një zyrtar i bashkisë Mat, u shpreh se familjet do të trajtohen sipas ligjit të emergjencave civile.

Familjet që mbetën pa strehë janë ajo e: Elton Pjetrit me 5 anëtarë, Fatmir Bushati me 2 anëtarë, Sokol Skilla me 5 anëtarë, Dava Zenelcanaj me 4 anëtarë dhe Isen Lika me 2 antarë.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco