I përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit/ Gjykata rrëzon kërkesën e të akuzuarit, Marsel Decka

I përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit/ Gjykata rrëzon kërkesën e të akuzuarit, Marsel Decka

14:09, 13/11/2023
A+ Aa A-

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e një prej të akuzuarve për përfshirjen në atentatin ndaj ish-prokurorit, Arian Ndoja. Marsel Decka kërkoi në gjykatë një masë më të lehtë sigurie se ajo e arrestit, kërkesë e cila është rrëzuar.

Decka dyshohet se ka konsumuar elementët e figurave të veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

Më shumë se 3 vite nga atentatin ndaj prokurorit, Arjan Ndoj dhe një personazhi të njohur të botës së krimit i njohur si Rrumi i Shijakut, ku të dy mbetën të plagosur, ndërsa shoferi Andi Maloku humbi jetën, SPAK dhe policia në bazë të dëshmive dhe përgjimeve të personave të implikuar në këtë vrasje arriti të zbardhë ngjarjen duke identifikuar porositësit, ekzekutorët dhe bashkëpunëtorët.

Autoritetet identifikuan se kush e donte të vdekur Aleksandër Lahon i njohur si Rrumi i Shijakut por nuk mundën dot ta vënë në pranga sepse prej kohësh ndodhet në Dubai, pavarësisht se ndaj tij ka një urdhër arresti tjetër për një vepër të rëndë penale. Mes të akuzuarve është edhe Ramazan Rraja, i cili dyshohet se siguroi kushtet për kryerjen e atentatit.

Në pranga ra Bashkim Haxhia, i cili i ka shpëtuar një atentati në qershor të vitit 2019. Po ashtu në pranga ranë edhe agjenti doganor Marsel Deçka, i afërm i një anëtari të bandës së Durrësit, Genti Ndërjaku i cili i shpëtoi një atentati me snajper në shtator të 2022 në Durrës dhe Julian Pjetri.

Policia sekuestroi një armë zjarri, rreth 40 milionë lekë të vjetra dhe 50 kontrata shit-blerjeje pronash, dokumente që do të verifikohen. Për atentatin gjykata ka marrë të pandehur më herët Redjan Rrajën  dhe Ariol Halilajn.

Pasditen e një nëntorit 2019, një breshëri plumbash u derdh mbi makinën që drejtohej nga Andi Maloku dhe ku pasagjerë ishin prokurori i Durrësit Arjan Ndoj dhe Landi Muharremi, person me precedent të theksuar kriminal. Shoferi Andi Maloku nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra. Ngjarja ndodhi në afërsi të mbikalimit të Shkozetit dhe dëshmitarë u bënë disa kalimtarë që i erdhën në ndihmë të plagosurve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco