Rrumbullaku takon drejtues të DEA-s: Forcim i bashkëpunimit në luftën ndaj narkotikëve

Rrumbullaku takon drejtues të DEA-s: Forcim i bashkëpunimit në luftën ndaj narkotikëve

11:44, 18/10/2023
A+ Aa A-

Pas takimit të zhvilluar me ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së, Todd Robinson, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, u takua edhe me zv. administratorin e DEA-s, George Papadopoulos, gjatë Konferencës Vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë, në San Diego, Kaliforni.

Zyra e shtypit e Policisë së Shtetit bëri të ditur se në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit në luftën ndaj narkotikëve.

“Papadopoulos nënvizoi se për vetë pozicionin gjeografik që Shqipëria ka dhe të rëndësisë strategjike si një nga rrugët e trafikimit të drogave të forta, është e domosdoshme që ky bashkëpunim të vijojë dhe të forcohet duke u ngritur në nivele më të larta të përfaqësimit”, bëri të ditur Policia e Shtetit.

“Papadopoulos e përgëzoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për rezultatet e Policisë së Shtetit, në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe për goditjen e rrjeteve të shpërndarjes së drogave në vend. Ai evidentoi se DEA ka vlerësuar në vijimësi se bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri është gjëja e duhur. Ai e falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm, për bashkëpunimin dhe mbështetjen që i është ofruar përfaqësuesve të kësaj zyre, të cilët mbulojnë Shqipërinë. Papadopoulos falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe nëpërmjet tij strukturat për hetimin e krimit të organizuar, për efektivitetin në shkëmbimit të informacionit në kohë reale dhe reagimin e menjëhershëm për çdo informacion të marrë prej tyre”, thuhet në njoftim.

Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e falënderoi Papadopoulos, për takimin, dhe i shprehu atij, mirënjohjen për DEA-n, për besimin që i është dhënë Policisë së Shtetit dhe veçanërisht për informacionet me vlerë që kanë shkëmbyer.

Drejtori i Përgjithshëm informoi përfaqësuesit e lartë të DEA-s, për zhvillimet në organizatën e Policisë së Shtetit, të cilat kanë sjellë mjaft ndryshime, qoftë strukturore ashtu edhe menaxheriale duke qenë se i përgjigjen në tërësinë e tyre zhvillimeve mjaft pozitive në institucionet e drejtësisë.

“Gjatë takimit, drejtori i Përgjithshëm vuri theksin në bashkëpunimin mjaft të mirë me përfaqësuesit e kësaj agjencie, me FBI-në dhe me CIA-n, për fushat e kompetencave të këtyre agjencive. Nga ana tjetër vlerësoi nevojën e domosdoshme për forcimin e këtij bashkëpunimi, për t’iu përgjigjur me sa më shumë efiçenca situatave të krijuara kohët e fundit, sidomos rritjes së aktivitetit kriminal të grupeve shqiptare të trafikimit të drogave, por çka është më e rëndësishme për parandalimin e krimeve të rënda, të cilat kanë ndodhur në Shqipëri për shkak mosmarrëveshjeve ndërmjet grupeve kriminale që ushtrojnë aktivitet kryesisht në vendet e origjinës së drogave të forta”, thuhet në njoftim.

“Drejtori i Përgjithshëm vijoi duke garantuar koleget e DEA-s se Policia e Shtetit do të vijojë të mbetet e përkushtuar për parandalimin dhe goditjen e drogave të forta dhe do të vijojë të jetë partner serioz dhe i besueshëm, tek i cili mund të mbështeten në çdo kohë dhe për çdo gjë. Ai falënderoi DEA-n, në mënyrë të veçantë për mbështetjen që i siguroi gjatë zhvillimit të operacionit të fundit policor, që mundësoi goditjen e një prej eksponentëve mjaft të njohur të krimit të organizuar, i cili ushtronte aktivitetin e tij kriminal gjatë 20 viteve të fundit në vendin tonë”, përfundon njoftimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco