Punonjëset e fabrikës në protestë, prokuroria: Kemi regjistruar procedim penal për “falimentim të provokuar”

Punonjëset e fabrikës në protestë, prokuroria: Kemi regjistruar procedim penal për “falimentim të provokuar”

09:35, 08/10/2023
A+ Aa A-

70 gra e vajza, punëtore të fabrikës “Ozgun Kan Albania” kanë protestuar dje para Prokurorisë Fier, për dhënien fund zvarritjes së shqyrtimit të kallëzimit penal ndaj kësaj kompanie, e cila në mënyre abuzive nuk ka paguar pagat për një periudhë prej dy muaj e 10 ditësh.

Ato pohuan të indinjuara se kallëzimi ka më shumë se dy muaj që “fle” në zyrat e prokurorisë dhe asgjë nuk është bërë deri më sot për t’i dhënë fund hetimit gjyqësor.

Ndërkohë sot Prokuroria e Fierit në një sqarim për kallëzimin penal të një grupi punonjësish ndaj subjektit “Ozgun Albania” shpk deklaron se më datë 09.08.2023, ka regjistruar procedimin penal nr.957, për veprën penale “Falimentimi i provokuar”, parashikuar nga neni 193, i Kodit Penal.

Ky procedim penal ka filluar mbi bazën e kallëzimit penal të paraqitur nga një grup punonjësish të subjektit “Ozgun Albania” SH.P.K., me administrator E.T, të cilët pretendojnë për shkelje ligjore të kryera nga kjo shoqëri lidhur me mosdhënien e pagave dhe mbylljen e aktivitetit.

Në funksion të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh hetimore. Çështja penale është ende në hetim dhe po vijon puna me kryerjen e veprimeve të tjera hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe zbulimin e së vërtetës.

Përfaqësuesit e “Koalicionit për punë të denjë” në mbështetje të kauzës së këtyre punëtorëve, në kuadër edhe të Ditës së Ndërgjegjësimit për Punëtorët e Fasonerisë, janë shprehur se qeveria shqiptare duhet të luftojë realisht padrejtësitë, indiferencën dhe shfrytëzimin e punëtorëve shqiptarë duke listuar njëherazi edhe disa kritere të cilat duhen respektuar në favor të punonjëseve të fasonerisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco