VIDEO-SYRI TV/ Artan Tafani hap ‘thesin’: Grupi i Laert Haxhiut trafikonte drogë

17:45, 04/10/2023
A+ Aa A-

Grupi kriminal i drejtuar nga Laert Haxhiu sipas të penduarit Artan Tafani, nuk kryente vetëm vrasje, por edhe trafik ndërkombëtar të drogës. Organizimi bëhej nga dy grupe, një në Fier e një në Greqi, teksa kjo ka krijuar një tjetër dinamikë. Kreyprokurori i Elbasanit zbarkoi të mërkurën në SPAK, strukturë tek e cila javën e ardhshme pritet të mbërrijë edhe dosja për kompetencë.

Nga SYRI TV

‘Never Forget’, më në krye Laert Haxhiun, nuk merreshin vetëm me vrasje për motive hakmarrjeje apo përplasjesh mes grupeve kriminale, por edhe me trafik droge.

Kjo dëshmi e të penduarit të drejtësisë Artan Tafanit, solli në dyert e Prokurorisë së Posaçme kreun e akuzës së Elbasanit Kreshnik Ajazin. Në një takim me drejtues të SPAK, mësohet se Ajazi ka dhënë informacione rreth hetimit, dhe është duke u vlerësuar, që personat e arrestuar me urdhër të tij, krijojnë elementë të një grupi të strukturuar kriminal.

Burime i thanë SYRI TV se nga ana e SPAK është sugjeruar që të thellohen hetimet në këtë aspekt, dhe në fillim të javës së ardhshme, pritet që Prokuroria e Elbasanit të përgatisë dosjen bashkë me vendimin e moskompetencës lidhur me çështjen, që kjo e fundit ti kalojë SPAK-ut.

Sipas dëshmisë së Artan Tafanit, grupi i drejtuar nga Laert Haxhiu, kryente trafik droge të shtrirë nga Greqia në Amerikën Latine e Shqipëria. Rreth një vit më parë në shtetin fqinj, konkretisht në Portin e Pireut, u kap një sasi e konsiderueshme kokaine me origjinë Amerikën Latine.

Dyshohet se përveç Haxhiut është përfshirë edhe një grup kriminal në Fier dhe një tjetër në Greqi. Pritet që me kalimin e dosjes për kompetencë pranë SPAK me dyshimet për grup të strukturuar kriminal, të nisen edhe letërporosi në adresim të disa vendeve për shkëmbim informacionesh lidhur me këtë aktivitet kriminal dhe për të provuar kësisoj thëniet e të penduarit të drejtësisë Artan Tafanit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco