Anglia: 12 mijë shqiptarë kërkuan azil brenda një viti, të parët nga e gjithë bota

Anglia: 12 mijë shqiptarë kërkuan azil brenda një viti, të parët nga e gjithë bota

08:05, 25/08/2023
A+ Aa A-

Ndërsa ritmet e ikjes në Mbretërinë e Bashkuara (MB) rezultojnë të kenë rënë këtë vit, sërish mbetemi shteti i parë për kërkesat për azil në MB.

Të dhënat zyrtare nga Home Office, të përpunuara nga Monitor bëjnë të ditur se në tremujorin e parë të 2023 u shënuan gjithsej rreth 1036 kërkesa të reja për azil në Mbretërinë e Bashkuar, nga 1,440 në të njëjtën periudhë, me një rënie prej 28%.

Të dhëna të tjera të publikuara nga mediat vendase tregojnë se nga qershori 2022 deri në qershor 2023 kishte 11,790 shtetas shqiptarë që kërkuan statusin për azil, duke u renditur të parët nga aplikantët e gjithë botës. Të dytët ishin afganët, me rreth 10 mijë.

Në total, më shumë se 175,000 azilkërkues janë duke pritur për një vendim fillestar për aplikimin e tyre, një rekord i lartë, bënë të ditur statistikat e publikuara rishtazi nga Home Office. Rritja e përgjithshme e rasteve në pritje ishte “për shkak të më shumë rasteve që hynë në sistemin e azilit sesa marrjes së vendimeve fillestare”, tha Zyra e Brendshme.

Nga 11,790 aplikimet e shtetasve shqiptarë, 7,557 erdhën nga mbërritjet me varka që kalonin Kanalin, tregojnë të dhënat, megjithëse numri i shqiptarëve që vijnë me varka të vogla ra ndjeshëm këtë vit krahasuar me vitin 2022.

Në 2022 u shënuan gati 16 mijë aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë
Të dhënat e mëparshme të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022 ishte 15,925, duke shënuar një nivel rekord për këtë vend.

Në krahasim me vitet e mëparshme, aplikimet për azil u rritën ndjeshëm. Në 2021-n numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 5,147, ndërsa në periudhën 2013- 2018 kishte qenë mesatarisht më pak se 3 mijë persona në vit. Nga viti 2003 deri në 2011 aplikimet nuk i arrinin as 200 në vit (shiko grafikun: Aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar)./MONITOR

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco