U përplas me motor uji në Himarë, ndërron jetë 16-vjeçari

U përplas me motor uji në Himarë, ndërron jetë 16-vjeçari

12:12, 20/08/2023
A+ Aa A-

Ka ndërruar jetë 16-vjeçari, i cili u aksidentua rëndë pasi po drejtonte një 'jet-ski' kur u përplas me një tjetër të miqve të tij më 15 gusht 2023, në plazhin e Llamanit në Himarë.

Katër adoleshentët nga lagjia “Ali Demi” e Tiranës, të moshës 16-vjeç dhe 17-vjeç, shokë me njëri-tjetrin kishin marrë dy motorë uji me qira në plazhin e Llamanit. Dy jetski-të u përplasën në det në hapur e për pasojë 16-vjeçari me iniciale K.Xh. mbeti i plagosur rëndë, me dëmtime në kokë. Ai u transportua me helikopter tek spitali i Traumës. I plagosur mbeti dhe shoku i tij që ishte pasagjer në jetski, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa dy bashkëmoshatarët që ishin në motorin tjetër shpëtuan pa lëndime. Ata njoftuan pronarin që u kishte dhënë mjetet lundruese me qira, Renato Panajoti për të nxjerr nga deti të plagosurin.

Fillimisht adoleshentët që shpëtuan pa lëndime dhanë dëshmi të rreme, duke u përpjekur të fshehin ngjarjen. Ata i thanë policisë se miku i tyre u plagos pasi ra nga shkëmbi.

Ngjarja u zbardh nga policia e Vlorës disa orë më pas, e cila bëri të ditur se dy “jet-ski” janë përplasur gjatë manovrave te gabuara në det.

Në hetim për ngjarjen është 17-vjeçari me iniciale U.K. që drejtonte motorin tjetër të ujit , i cili dyshohet se u përplas me motorin që drejtonte 16 vjeçari. Ai akuzohet për plagosje të rëndë nga pakujdesia.

Po kështu po hetohet për shkelje të rregullave në punë, Renato Panajoti, pronari i mjeteve lundruese në Himarë. Deri në sqarimin e rrethanave është pezulluar aktiviteti i tij privat per dhenien me qira te mjeteve lundruese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco