BIRN: Arrestimi i djalit vë në pozitë të vështirë anëtaren e KLP! Kreu i KLP: Nuk ndikon në hetime

17:27, 08/08/2023
A+ Aa A-

Rei Meta, djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë Nurihan Seitu (Meta) u arrestua të hënën me akuzën e vrasjes nga pakujdesia, pasi dyshohet se goditi me grushte që i sollën vdekjen 55-vjeçarin Armando Meshau.

Zyrtarisht policia njoftoi se mes dy personave pati një përplasje për “motive të dobëta”, por oficerë në dijeni të hetimit i thanë BIRN se Meta dyshohet të kishte shërbyer si sekser për viktimën për një problem me pronat që ky kishte në Vlorë dhe se Meshau nuk i kishte dhënë shpërblimin.

Meta dyshohet se ka përdorur emrin e së ëmës, anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të nxjerrë përfitime, duke pretenduar se mund të zgjidhte probleme të pronave. Në rastin që solli konfliktin,  Armando Meshau viktima, pretendonte se e kishte gjetur vetë dakordësinë me palën e tretë dhe kishte refuzuar t’i kalonte Metës një apartament që do ishte pagesa e tij për ndërmjetësimin.

Kjo solli përplasjen në një kancelari dhe pas debatit me fjalë, dy personat janë qëlluar me grushte që sollën rrëzimin dhe më pas vdekjen e Meshaut.

Oficerë të policisë në dijeni të hetimit thanë se Meta e ka mohuar këtë. Ai ka pretenduar se ka qëlluar me grushte Meshaun për tu vetëmbrojtur dhe se kishte qenë ndërtuesi që e kishte sharë dhe qëlluar i pari.

Por arrestimi i Metës dhe akuzat se ai ka përdorur emrin e nënës, vënë në vështirësi anëtaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

E pyetur nga BIRN Mimoza Koçiu, këshilltare për mediat pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, tha se ata po e ndiqnin rastin. “Kjo çështje është në ndjekje nga ILD”, tha Koçiu.

Anëtarja e KLP-së nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi ngjarjen dhe as nëse do të mbante ndonjë qëndrim pas saj.

I pyetur nëse rasti ndikonte në perceptimet për një hetim të drejtë, duke qenë se hetohet familjari i një anëtari të KLP-së, kreu i këtij institucioni Alfred Balla mohoi mundësinë për ndikim.

“Prokurorët sot janë plotësisht të pavarur dhe askush nuk mund të ndikoj në punën e tyre hetimore e cila kontrollohet nga gjykata”, tha ai. Balla tha se ngjarja ishte “e rëndë dhe e trishtueshme”, por shtoi se personi i akuzuar ishte mbi 30 vjeç dhe nuk jetonte me prindërit.

BIRN mësoi se për të sqaruar rrethanat e vrasjes policia ka thirrur të hënën dhe të martën 10 persona, mes të cilëve dëshmitarë okularë dhe të afërm të viktimës dhe autorit të dyshuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

eDRAMA08/08/2023 19:46

Jo vetem qe nuk ndikon ne hetime mamaje seksere e vrasesit sekser por edhe shtohet besimi i publikut te drejtesia e reformuar. Dy grushta na dolen te ishin shtate. Anetarja e KLP jo vetem duhet te dorehiqet urgjentisht, por duhet edhe te thellohet hetimi tek pasurite e vena me sekserlliqet e te birit nen tutelen e te emes. I biri i anetares se KLP ne orar te punes si doganier del e vret. Shurt, vrases me pagese, i paguar nga taksapaguesit. Ky eshte besimi i publikut te drejtesi dhe gjithe struktura shteterore/mafioze.

Shto koment

Denonco