Nga kultivimi i lëndëve narkotike te vjedhja në banesa, arrestohet 41-vjeçari në Rrogozhinë, nën hetim motra dhe vëllai

Nga kultivimi i lëndëve narkotike te vjedhja në banesa, arrestohet 41-vjeçari në Rrogozhinë, nën hetim motra dhe vëllai

14:47, 05/08/2023
A+ Aa A-

Uniformat blu kanë arrestuar ditën e sotme një 41-vjeçar me iniciale Gj.S., në Rrogozhinë dhe ka nisur hetimet për motrën dhe vëllain e tij.

41-vjeçari akuzohet për vjedhjen e një shumë të konsiderueshme parash nga një dyqan dhe kultivim të lëndëve narkotike në banesë.

Njoftimi i policisë:

Rrogozhinë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kompleks”, i zhvilluar nga Stacioni i Policisë Rrogozhinë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan.

Operacioni, për parandalimin e vjedhjes së pronës dhe për goditjen e veprimtarive kriminale të kultivimit dhe prodhimit të cannabis sativës.

Koordinimi i veprimeve ndërmjet Policisë së Rrogozhinës dhe asaj të Elbasanit, çoi në pranga një 41-vjeçar nga Elbasani, i cili u kap në flagrancë në Rrogozhinë, duke vjedhur një shumë parash, në një dyqan veglash pune.

Operacioni ka vijuar në Elbasan dhe si rezultat, në banesën e 41-vjeçarit, Policia e Elbasanit gjeti dhe sekuestroi 2.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa, fara të kësaj bime, fishekë luftarak dhe një shumë parash të përfituar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe asgjësoi disa bimë narkotike që u gjetën të kultivuara përreth kësaj banese në fshatin Bizhutë, njësia administrative Papër, Elbasan.

Ndërkaq, mbi dyshime për implikim në kultivimin e bimëve narkotike, u proceduan penalisht nga Policia e Elbasanit, vëllai dhe motra e 41-vjeçarit, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër (lidhje shoqërore e 41-vjeçarit).

Në vijim të kontrolleve për parandalimin e vjedhjes së pronës, bazuar në inteligjencën policore dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet Policisë së Elbasanit dhe asaj të Rrogozhinës, për një shtetas që dyshohej se merrej me narkotikë dhe ishte larguar nga Elbasani, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Kompleks”.

Në kuadër të këtij operacioni, Policia e Rrogozhinës arrestoi në flagrancë shtetasin Gj. S., 41 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas u kap në flagrance në lagjen nr.1, në Rrogozhinë, në një dyqan, duke vjedhur materiale ndërtimi dhe një shumë parash (200 000 lekë).

Operacioni ka vijuar në Elbasan, në fshatin Bizhutë, njësia administrative Papër, ku Policia e Elbasanit kishte marrë informacion më parë se 41-vjeçari merrej me kultivim dhe prodhim të narkotikëve.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, rreth 2.8 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, dhjetëra fara të bimës narkotike cannabis sativa, fishekë luftarak dhe mbi 53 000 lekë të valutave të ndryshme, të dyshuar të përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Gjithashtu, përreth banesës së 41-vjeçarit, u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike. Mbi dyshime për bashkëpunim me shtetasin Gj. S., për kultivimin e këtyre bimëve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. S., 50 vjeç dhe T. S., 32 vjeçe (vëllai dhe motra e shtetasit Gj. S.), si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. Sh., 24 vjeç (lidhje miqësore e shtetasit Gj. S.). Policia vijon punën për kapjen e 24-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco