Si u ekzekutua me breshëri kallashnikovi djali i Lekstakajve/ Hasmëria 26-vjeçare mes dy fiseve në Lezhë sjell viktimën e radhës

Si u ekzekutua me breshëri kallashnikovi djali i Lekstakajve/ Hasmëria 26-vjeçare mes dy fiseve në Lezhë sjell viktimën e radhës

08:46, 20/07/2023
A+ Aa A-

Përgjaket sërish Lezha. Fiks tre muaj nga dita kur vendi u trondit nga ekzekutimi i Ardian Nikulajt, dje, pasdite, në aksin kryesor që lidh Lezhën me Shkodrën ekzekutohet me breshëri kallashnikovi Nikolin Lekstakaj.

Ai u la i pajetë në dyert e një marketi në zonën e Balldrenit, rreth 1 km larg shtëpisë së tij. Lekstakaj kishte hyrë në dyqan për të blerë një pije freskuese dhe në momentin që ka dalë jashtë, dy persona kanë qëlluar nga një makinë, duke i marrë jetën. Dëshmitarë nuk ka, pasi brenda ambienteve të dyqanit ka qenë vetëm punonjësja, ndërkohë që Policia shkoi në vendin e ngjarjes e lidhi atentatin me ngjarjen e tre muajve më parë duke hamendësuar se bëhet fjalë për hakmarrje. Në fakt, edhe pak ditë pas ekzekutimit të biznesmenit Nikulaj në hotelin e tij në Shëngjin, kryepolici i vendit, Muhamet Rrumbullaku e cilësoi ngjarjen si vrasje për gjakmarrje, ndonëse në skenën e atij krimi të rëndë u nxorën 5 shtetas të huaj, të cilët kishin ardhur në vendin tonë për turizëm.

Atentati dhe dyshimet

Nikolin Lekstakaj, që u vra ditën e djeshme, mësohet se ishte 42 vjeç dhe ishte baba i tre fëmijëve. Ai jetonte në Shqipëri më së shumti dhe në fakt, sipas të dhënave asnjëherë nuk ka pasur probleme me ligjin, e aq më pak me ata që tashmë konsiderohen edhe si persona të dyshuar.

Edhe pse mban mbiemrin Lekstakaj, burimet policore bëjnë me dije se Nikolini dhe vëllai i tij Bledi asnjëherë nuk kanë shfaqur probleme e madje edhe kanë bashkëjetuar me fisin e Nikulajve, ndonëse ditën e djeshme, vetë kryepolici i Lezhës në një prononcim për mediat lokale bëri me dije se dyshimet e para bien mbi pistën e hakmarrjes, duke e lidhur ngjarjen e djeshme me atë të ndodhur tre muaj më parë në Shëngjin.

Kryepolici bëri me dije se po punohet për kapjen e autorëve të krimit, por deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme nuk kishte asnjë të dhënë për personat që morën pjesë në atentat. Policia ka kryer disa kontrolle banesash si dhe ka nisur me marrjen e dëshmive të para për të mësuar më shumë në lidhje me ngjarjen e rëndë që duket se do të vijojë historinë tronditëse të vrasjeve mes dy fiseve që nuk po ndalet që në vitin e largët 1997! Referuar të dhënave të pakta që kanë ardhur nga policia e Lezhës bëhet me dije se janë bllokuar të gjitha pikat e rrugëve kryesore që lidhin Lezhën me Shkodrën, Vaun e Dejës Milotin dhe Shëngjinin.

Po ashtu janë kryer kontrolle të shumta banesash në të gjithë zonën përfshirë edhe familjen e Nikulajve. Ndonëse ende nuk bëhet me dije të jetë shoqëruar ndonjë person, policia shënjestrën e parë të dyshimit ka pasur pikërisht këtë familje, pasi dyshimet çojnë në faktin se vrasja e Nikolin Lekstakajt të ketë ndodhur për shkakun e hasmërisë 26-vjeçare mes dy fiseve. Policia po ashtu ka nisur edhe grumbullimin e pamjeve filmike të kamerave në rrugët e lagjeve, kryesore e deri në ato të bizneseve të autostradës për të mundësuar kapjen e ndonjë pamjeje të automjetit të paktën, i cili si rrallë në ndonjë atentat nuk është gjendur i djegur ende!

Alfred Elezi: Dyshojmë për hakmarrje ose gjakmarrje

Drejtori i Policisë vendore të Lezhës, Alfred Elezi, është prononcuar për atentatin ndaj Nikolin Lestakajt i cili ishte duke dalë nga marketi. Policia thotë se dyshohet për hakmarrje.

“Sot rreth orës 18:30, morëm njoftimin që u bëra Nikolin Marku Lestakaljt. Nga shërbimet e policisë është ngritur grupi hetimor dhe në koordinim të plotë me prokurorinë po punohet për rastin dhe identifikimin e autorit. Jemi ende në hetim. Dyshojmë për hakmarrje ose gjakmarrje. Po sigurojmë të gjitha provat”, thotë Policia. Më datë 19.07.2023, rreth orës 18:30, në Balldre, Lezhë, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi N. M (L), rreth 42 vjeç.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe kanë bërë rrethimin e zonës, janë ngritur pika kontrolli e vijon krehja e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sipas të dhënave policore mësohet se janë marrë në pyetje disa persona jo vetëm që kanë dijeni për ngjarjen por edhe që mund të kenë njohje me viktimën.

Po ashtu është mësuar edhe itinerari i viktimës përgjatë kohëve të fundit, ndërkohë që bëhet me dije se viktima dhe vëllai i tij nuk ishte ruajtur dhe nuk kishin pasur probleme me familjen Nikulaj që prej shumë vitesh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco