Policia e Kosovës bastis pronat e dy zyrtarëve, sekuestrohen 60 mijë euro

Policia e Kosovës bastis pronat e dy zyrtarëve, sekuestrohen 60 mijë euro

14:59, 14/07/2023
A+ Aa A-

Policia e Kosovës i ka bastisur dy lokacione, prona të dy personave të dyshuar, F.M. dhe H.M., ku e ka sekuestruar një shumë të konsiderueshme parash, njoftoi Prokuroria Speciale e Kosovës më 13 korrik.

Mediat lokale raportojnë se pronat e bastisura janë të Faruk Mujkës, kryeshef i “Ibër Lepencit” dhe Hysen Muzilukajt, këshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci. Prokuroria Speciale njoftoi se: 

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit F.M dhe H.M, në cilësi të personave zyrtarë, me dashje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për tjetrin, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë respektuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre që të ushtrojnë funksionin e tyre në bazë të ligjit.”

“Gjatë bastisjes në njërin lokacion, ndër të tjera është gjetur dhe sekuestruar shuma e të hollave prej gjashtëdhjetë mijë eurosh (60.000)”, tha ajo.

Prokuroria Speciale shtoi se lidhur me këtë rast, në maj të vitit 2022, kishte pranuar informacione rreth dyshimeve për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut.

Në fillim të këtij muaji, ndaj dy të dyshuarve ishte ngritur kallëzim për “keqpërdorim të detyrës apo autoritet zyrtar”.

Sipas Prokurorisë, akuzat kanë të bëjnë me kohën sa të dyshuarit ishin pjesë e udhëheqjes në Komunën e Mitrovicës së Jugut më 2021. /REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco