Grerëza kineze po kërcënon masivin e gështenjave të Tropojës, prodhuesit kërkojnë ndërhyrje në kohë

Grerëza kineze po kërcënon masivin e gështenjave të Tropojës, prodhuesit kërkojnë ndërhyrje në kohë

10:56, 01/06/2023
A+ Aa A-

Grerëza kineze po kërcënon masivin më të madh të gështenjës në vendin tonë në zonën e Tropojës, që njëkohësisht është burimi kryesor i të ardhurave për 3000 familje nëpërmjet prodhimit të frutave dhe mjaltit.

Shpend Nikoçi i cili drejton shoqatën e kultivuesve, “Gështenja e Tropojës” tha se grerëza kineze e cila sapo shfaqet në pemën e gështenjës ndërton Guaskën, kështjellën e saj të fortifikuar që i siguron mbrojtje të garantuar nga çdo lloj agjenti duke e mbrojtur nga të gjitha metodat e njohura të luftimit të insekteve (shiko foton mëposhtme).

Ai tha se, grerëza po shkakton dëmtimin më të rëndë nga të gjithë insektet që dëmtojnë gështenjën, pasi ka zvogëluar rendimentin e frutave dhe prodhimin e lëndës drusore deri në 80% dhe në disa rajone ka shkaktuar tharjen e plotë të pemëve gjigande të gështenjës.

Nikoçi tha se ndryshimet klimaterike dhe ngrohja globale po i krijojnë kushte të favorshme për përhapjen në gështenjat e rajonit dhe tashmë ka mbërritur edhe në vendin tonë.

Eksperti tha se grerëza shkakton një rënie progresive të fuqisë ekologjike së pemëve dhe mund të rezultojnë në vdekjen biologjike të pemëve të gështenjës.

Studimet kanë treguar se ky insekt rrit probabilitetin e infeksionit dhe dobëson fuqinë e pemëve. Ai bëri thirrje se mbikëqyrja e simptomave të çerdheve të grerëzave në maj ose qershor lejon zbulimin e hershëm dhe shkatërrimin e bimëve të prekura para shfaqjes së fazës së të rriturve.

Nikoçi tha se deri më tani metoda më e efektshme për të luftuar këtë insekt shkatërrues të gështenjës është kontrolli biologjik, që konsiston në importin e insektit (Torymus sinensis), një agjent i suksesshëm i kontrollit biologjik të grerëzës.

Por për tu realizuar importin e disa kolonive të këtij insekti kërkohet përveç fondeve financiare, bazës materiale e mjeteve të nevojshme edhe informacion në detaje në lidhje me plotësimin e kushteve deri sa të takojë grerëzën kineze që e ka ushqim të preferuar.

Sakaq, komuniteti i fermerëve të gështenjës me mundësi jetese të kufizuara , që zotërojnë sipërfaqen fare të vogël të tokës bujqësore për frymë, me mundësi shumë të kufizuara për zhvillimin e blegtorisë, pa asnjë mundësi punësimi, i vetmi burim i te ardhurave që siguron mbijetesën e afro 3000 familjeve malësore është ky burim natyror, tha eksperti.

Vlera e financiare e gështenjave të Tropojës u rrit ndjeshëm gjatë dekadës së fundit prej forcimit të kanaleve të eksportit me Italinë dhe për shkak të certifikimit për cilësinë më të mirë.

Gjithashtu vitet e fundit janë shtuan investimet në kosheret e bletëve, të cilat duke u ushqyer nga lulet e gështenjës prodhojnë mjaltin më cilësor dhe me të kushtueshëm aktualisht në vend.

Të ardhurat e fermerëve nga gështenjat po rriteshin, por parcelizimi dhe mungesa e organizmit për të mirëmbajtur masivin mund të dëmtojë rëndë ekosistemin dhe të ardhurat e familjeve në zonë./B.Hoxha/

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco