SYRI TV/ Mërtiri merrej edhe me rojet e inceneratorit! Dosja: Konsiderohet ‘pronari faktik’ i kompanisë

15:31, 27/05/2023
A+ Aa A-

Zbardhet dosja e prokurorisë me kërkesën për dënim me 10 vite burg për Mirel Mërtirin si njeriu hije i inceneratorëve. Për prokurorët, Mërtiri është pronari faktik i inceneratorit të Elbasanit, për të cilin theksojnë se merrej edhe me zgjedhjen e rojeve të godinës. SPAK ka siguruar disa dhjetëra e-maile e komunikime të tjera, ku sipas prokurorëve, konstatohet se të gjithë personat e kompanisë raportonin te Mirel Mërtiri.

SYRI TV

Prokuroria e Posaçme kërkoi 10 vite burg për biznesmenin në kërkim, Mirel Mërtiri, të cilin e konsideron si pronarin faktik të inceneratorit të Elbasanit.

Dokumentet zyrtarë tregojnë se pronare e kompanisë koncesionare “Albtek Energy” është bashkëjetuesja e Mërtirit, Stela Gugallja.

Ndërsa për prokurorët, Mërtiri ka luajtur të gjithë fijet në aktivitetin e kompanisë. SPAK ka siguruar disa dhjetëra e-maile e komunikime të tjera, ku, sipas prokurorëve, konstatohet se të gjithë personat e kompanisë raportonin tek Mirel Mërtiri.

Një prej këtyre e-maile-ve dëshmon se stafi i shoqërisë koncesionare i raportonte Mërtirit edhe për detaje fare të vogla.

Në dosjen e SPAK-ut thuhet se, në datën 13 maj 2017, personi me emrin Klevis Dine i ka dërguar e-mail shtetases Julia Muça, si dhe të pandehurës Stela Gugallja, në të cilin i informon se në datën 13.05.2017, roja te porta e landfillit është gjetur në gjumë nga operatorët e natës dhe se është konfrontuar me ta.

Më tej shkruan se duhet t’i hiqet dita e punës për datën 13 maj. E-maili është dërguar nga Julia Muça te i pandehuri Mirel Mërtiri. Ky i fundit i cili është përgjigjur se: “T'i hiqen tre ditë punë dhe jo vetëm një... Biles po ia bëj unë njoftimin nesër... Thuaj çunave të ma kujtojnë nesër në mëngjes”.

Ky rast përbën vetëm një detaj domethënës për rolin e Mërtirit, ndërkohë që prokurorët rendisin shumë mesazhe mes tij dhe punonjësve të “Albtek Energy” apo kontraktorëve të tjerë, për çështje financiare apo zbatim projektesh.

Në datën 21 korrik 2017, Mirel Mërtiri i ka dërguar një e-mail bashkëpunëtorit të tij, gjithashtu në kërkim, Klodian Zoto, që lidhet me procesin e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit.

SPAK thotë se “i pandehuri Mirel Mërtiri i ka shkruar të pandehurit Klodian Zoto si vijon: “A janë në rregull këta plehrat??? Ju lutem një përgjigje shumë të fortë sot dhe paralajmëroni Paul Wurth që ndërprisni çdo marrëdhënie deri në rregullimin e të gjithë problematikave që ka Elbasani”.

Këto raste, si edhe të tjera detaje, bindën Prokurorinë Speciale se Mirel Mërtiri është pronari faktik i inceneratorit të Elbasanit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco