Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

SYRI TV/ Jepen masat për operacionin ‘Radio-ndërlidhja’, zbardhen përgjimet mes dajës dhe nipit

14:00, 27/05/2023
A+ Aa A-

Janë lënë në qeli të arrestuarit për kultivim dhe shitje të narkotikëve në Krujë. Arrest në burg ka caktuar Gjykata e Posaçme për 7 persona, ndërsa një prej tyre është lënë në arrest shtëpie për shkak të moshës. Syri TV ka siguruar dosjen hetimore në ngarkim të këtij grupi dhe përgjimet që kanë çuar ne qeli personat e përfshirë në këtë aktivitete kriminal

SYRI TV

Arrest në burg ka caktuar Gjykata e Posaçme për shtatë të arrestuarit gjatë operacionit “Radio-ndërlidhja”, për kultivim e shitje të narkotikëve.

Janë lënë në qeli, Lavdërim (alias Lulzim) Alimani, Saba Shehi, Vait Taka, Asim Pulaci, Xhemal Zogu, Shkëlqim Ismaili dhe Ahmet Pulaci. Togat e zeza liruan nga qelia me masën e arrestit në shtëpi Skënder Veljan për shkak të moshës.

Ndërkohë në kërkim në kuadër të këtij operacioni janë shpallur Bujar Sefa (alias Xaka), Haxhi Murati, Armand Dervishi, Edison Xaka dhe Agron Asllanaj.

Nga hetimi trevjeçar, ku u përdoren edhe përgjimet, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar në njësinë administrative Cudh, bashkia Krujë, si dhe kanë shitur sasi të konsiderueshme, lëndë narkotike cannabis sativa.  Syri TV ka siguruar dosjen hetimore në ngarkim të këtij grupi, ku anëtarët e tyre zhvillojnë biseda rreth aktivitetit kriminal.

Mësohet se anëtarët e grupit komunikonin me radio, teksa kjo evidentohet në një fragment nga biseda mes dy personave nga të cilët njëri i thotë tjetrit: “Mbaje mirë radion, se nuk dëgjohesh”, teksa biseda vijon me fjalë që nënkuptojnë zbulimin e mundshëm të tyre nga policia.

Më tej, transkriptimi i bisedave zbardh një tjetër komunikim, mes nip e dajë, ku flasin për kujdesin që duhet të tregojnë në telefon. Përveç kësaj vihet në dukje edhe monitorimi nga ana e tyre të lëvizjeve të policisë. Biseda bëhet mes Bujar Sefës, Asim Pulacit e Xhemal Zogut.

Bujari: Dajë Bujari, për Zotin s'e shoh me sy.

Asimi: Mos fol në telefon thotë ky byrazeri.

Bujari: Po s'jam tu fol në telefon, a s'më sheh me ça jemi duke folur me telefon?

Asimi: As me Mandin, as me Kujtimin, as me kërrkënd se ju ha dreqi.

Bujari: Deri për Vit të Ri ua heq ky shtetin, mbani përgjegjësi vetë.

Asimi: Deri për Vit të Ri, se mbas vitit të ri shohim e ikim jashtë shtetit.

Konstatohet kujdesi i vazhdueshëm që tregojnë bashkëbiseduesit me qëllim që komunikimet mes tyre të mos bëhen asnjëherë nëpërmjet telefonatave të thjeshta, por vetëm me aplikacionet me internet si dhe me anë të radios "Walky Talky", për të mos u kapur nga ndonjë përgjim i mundshëm, lidhur me aktivitetin e tyre të paligjshëm kriminal në fushën e narkotikëve që po zhvillojnë.

Nga komunikimet e zhvilluara mes bashkëbiseduesve, sipas bisedës se interceptuar më datë 01.09.2020, del në pah fakti i vajtjes për monitorim të zonës të punonjësve të policisë që merren me identifikimin dhe asgjësimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike. Konstatohet shqetësimi që kanë për bimët narkotike dhe për të fshehur gjurmët, duke hequr tubat që shërbejnë për vaditjen dhe dërgimin e tyre afër me tubat që ka personi tjetër që merret me këtë aktivitet, shtetasi i dyshuar si Ahmet Pulaci.  Nga ky komunikim dyshohet se bëhet fjalë për parcelat e mbjella me bimë narkotike, afër me vendin ku ka mbjellë edhe personi nën hetim Ahmet Pulaci.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco