EMRI/ 15 mln euro vjedhje me call-center, ja kush u arrestua sot nga policia

EMRI/ 15 mln euro vjedhje me call-center, ja kush u arrestua sot nga policia

17:24, 30/04/2023
A+ Aa A-

Një 30-vjeçar i kërkuar për skemën e mashtrimit me call centera me dëm prej 15 milionë eurosh është arrestuar nga policia të dielën. Jusel Mici u lokalizua në zonën e Spillesë ndërsa ishte shpallur në kërkim nga SPAK që prej fazës së parë të operacionit në dhjetor 2022 kur u kontrolluan disa ambiente dhe ranë në pranga disa bashkëpunëtorë të tij në Tiranë.

Policia e Tiranës arrestoi një 30-vjeçar të kërkuar për mashtrim kompjuterik, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal në dëm të shtetasve të huaj të cilëve u ka përvetësuar një shumë prej 15 milionë euro.

I dyshuari Jusel Mici, është lokalizuar dhe arrestuar të dielën në zonën e Spillesë në Kavajë. Ai ishte shpallur në kërkim në dhjetor 2022 pas një operacioni të përbashkët në Shqipëri dhe Itali kundër një rrjeti call-centerash që përvetësonin fondet e shtetasve të huaj.

Burimet zyrtare thanë se Shërbimet e Seksionit të Kërkimit kanë organizuar punën me qëllim kapjen e të riut dhe finalizuan operacionin e koduar "Sunday".

30-vjeçari Mici sipas policisë, akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, mashtronin shtetas të huaj duke i garantuar atyre, përfitim të menjëhershëm ekonomik kundrejt investimeve, dhe duke i bindur ata të investojnë në kriptovaluta.

Pas hetimeve të kryera për këtë skemë mashtrimi, prokuroria ka kërkuar në gjykatë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, e kryer në bashkëpunim dhe "Grupi i strukturuar kriminal".

Kjo masë është miratuar nga gjykata ndërkohë që në dosjen e SPAK, të hetuar bashkë me autoritetet italiane, përshkruhet edhe mënyra si vepronte grupi kriminal.

Pasi kontaktonin shtetasit e huaj të cilëve u prezantonin mundësinë e investimit të fondeve të vogla kundrejt përfitimit, të akuzuarit hynin në faqet personale të viktimave në banka, duke marrë kështu njohuri për të dhënat dhe gjendjen ekonomike dhe duke arritur, në shumë raste, për t’i bindur ata të investojnë të gjithë kapitalin ekonomik që kishin në dispozicion.

Në fazën e fundit, pasi të mashtruarit zbulonin të vërtetën dhe kërkonin mbrapsht paratë e tyre, ata kontaktoheshin nga anëtarë të tjerë të mbledhjes së borxheve, të cilët i bindnin të paguanin para shtesë për të rikuperuar shumat e humbura ose e shtynin të merrte aksione në kompani të reja, të krijuar nga vetë të dyshuarit, çka rezultonte sërish një skemë e re mashtrimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco