Dinamika e plotë/ Si u ekzekutua Nikulaj nga banda e Birmingamit

09:36, 27/04/2023
A+ Aa A-

Gazetari Artan Hoxha ka zbardhur dinamikën e ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj nga shtetas të huaj, të rekrutuar nga Edmond Haxhia, një i afërm i familjes Lekstakaj, me të cilan Nikulaj ishte në gjak.

Gazetari thotë se për shkak se bandat shqiptare e kishin të vështirë eliminimin e Nikulajt, u vendos të rekrutohej një bandë britanike nga zona e Birmingamit.

Gazetari thekson se nuk dihet sa është shuma e paguar për krimin, por thotë se flitet për një shumë të madhe. Më tej ai sjell dinamikën e krimit, që u realizua nga një vrasës portugez.

DOSJA E VRASJES SE NIKULAJT

Pamjet filmike tregojnë se skuadra e vdekjes ishte koordinuar për ta kryer atentatin që të martën e datës 18 prill. Vëzhguesi anglez është pozicionuar në barin dhe bilardon e verandës për orë të tëra.

Ndërsa vrasësi portugez ka ardhur nga Kakarriqi dhe ka qëndruar në hyrjen e pallatit pranë restorantit “Coral” për 8 ore rresht.

Për fatin e tij, Nikulaj nuk ka ardhur gjatë asaj kohe në lokal duke bere që vrasësit të humbin durimin dhe ta shtyjnë për një ditë më vonë.

Ditën e mërkurë, me 19 prill 2023, kamerat e sigurisë kanë regjistruar vrasësin portugez që të shfaqet në hyrjen e pallatit në orën 11:37 minuta të paradites. Vrasësi zgjedh pikërisht këtë pallat si “bazë të sigurtë”, pasi aty janë kryesisht apartamente pushimi, dhe në këtë periudhë të vitit aty banon vetëm një familje.

Ky fakt i ka dhënë siguri vrasësit se nuk do zbulohej. Portugezi, për të kamufluar pamjen, është veshur shumë trashë dhe me jelek antiplumb. Ai ka dashur të krijojë përshtypjen e gabuar te dëshmitarët se është një person i gjatë, i mbushur, muskuloz.

Në fakt është e kundërta. Ai është i gjatë, por është i hollë, i lehtë në lëvizje dhe me lëkurë mulati. Në pjesën e kokës ai ka përdorur edhe kapuç, edhe skafandrën e motorit.

Gjatë kësaj kohe anglezi është pozicionuar në verandën e jashtme ku ndodhet bilardo. Ai shfaqet para kamerave ose duke pirë birrë i vetëm, ose duke luajtur bilardo me një fëmijë që e ka gjetur rastësisht, gjoja për të kaluar kohën.

Anglezi ka ndjekur lëvizjet e viktimës nga momenti kur ai ka ardhur në lokal. Vëzhguesi ka përdorur direkt aparatin celular për komunikim, ndërsa vrasësi ka përdorur kufje të vendosura në vesh.

Sapo Nikulaj ka mbetur i vetëm, vëzhguesi i ka kërkuar vrasësit te afrohet. Por papritur, Nikulaj çohet nga tavolina, lëviz 15 metra përpara duke folur në telefon.

Vëzhguesi e dinte që Nikulaj ishte i armatosur dhe po ashtu rrezikun se nëse ai dyshonte për gjënë më të vogël, mund të hapte menjëherë zjarr.

Në këtë moment, vëzhguesi i kërkon vrasësit të kthehet pas dhe të presë një moment të dytë.

Vrasësi duket në pamje që kthehet në mes të rrugës dhe fshihet në hyrjen e pallatit.

Në orën 13:20, anglezi bën telefonatën e fundit duke dhënë sinjalin se është koha e duhur. Fiks në këtë ore kamera fikson vrasësin portugez, duke dalë nga hyrja e pallatit.

Ardiani sapo është ulur ne tavoline, krejt i vetëm, me shpinë nga dera duke mos kontrolluar as hyrjen e restorantit.

Për fatin e tij të keq, një telefonate e papritur i tërheq krejtësisht vëmendjen.

Vrasësi përshkon rrugën nga hyrja e pallatit ku qëndronte i fshehur, hyn në lokal, vepron në befasi të plotë duke mos i dhënë asnjë mundësi viktimës për t’u mbrojtur.

Ai qëllon 7 herë me një pistoletë tip Zastava, i drejton armën rojës së lokalit si masë mbrojtëse kundër ndonjë reagimi dhe largohet me vrap.

Vrasësi portugez përshkon me vrap distancën drejt motorit, hipën në të dhe largohet qetësisht fillimisht drejt Lezhës dhe pastaj në aksin kombëtar Lezhë-Shkodër duke ndaluar në fshatin Kakarriq.

Në dite normale nga Shëngjini deri në Kakarriq gjen të paktën dy patrulla policie. Për fatin e vrasësit portugez, mesditën e të mërkurës se 19 prillit nuk ndodhej asnjë patrullë në rrugë.

Vrasësi dorëzon motorin, veshjet dhe armët te “baza e sigurtë” në Kakarriq dhe menjëherë niset me një mjet drejt doganës së Kapshticës në juglindje të Shqipërisë.

Po atë mbrëmje, në orën 21:25 minuta kamerat e pikës së kalimit kufitar Kapshtice, e kanë regjistruar vrasësin portugez duke kaluar kontrollin me pasaportë në dorë dhe me këmbë ka hyrë në brendësi të kufirit grek.

Aty një mjet tjetër e ka larguar fillimisht drejt Selanikut dhe me linje ajrore vrasësi ka udhëtuar me kompaninë greke Aegean drejt ishullit të Rodosit që ndodhet shumë afër nga kufiri me Turqinë.

Ndërsa shtetasi anglez, menjëherë pas atentatit, ka vrapuar drejt hotel “Besa” ku qëndronte. Është paraqitur aty shumë i trembur nga ajo që kishte parë.

Në barin e hotelit ka pirë një birre bashke me një uiski dhe ka kërkuar një taksi të largohet pasi ndihej shumë i frikësuar.

Fillimisht ka udhëtuar në drejtim të Fushë Krujës, aty ka ndërruar taksi dhe menjëherë është nisur në Rinas. Në orën 18:00 të pasdites ai ka prere një biletë me linjën ajrore që largohej nga Shqipëria po atë mbrëmje.

Edmond Haxhia, pasi përmbushi misionin, u sigurua se i gjithë grupi i ekzekutimit doli nga territori shqiptar, një ditë më pas, mbrëmjen e 20 prillit u largua me avion nga Rinasi drejt Britanisë së Madhe…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco