Apeli ashpërson dënimet dhe kthen për rigjykim në shkallë të parë Astrit Avdylin

Apeli ashpërson dënimet dhe kthen për rigjykim në shkallë të parë Astrit Avdylin

17:20, 04/04/2023
A+ Aa A-

Nga Edmond Hoxhaj-BIRN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 4 prill 2023 të prishë vendimin e shkallës së parë për dënimin me 12 vjet heqje lirie të Astrit Avdylit për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal në Shijak, me aktivitet kryesor trafikun e lëndëve narkotike, si dhe të dhe për dënimin e të pandehurit Fatos Llaftiut me 3 vjet heqje lirie për moskkallëzim krimi.

Apeli ka ndryshuar vendimmarrjen për katër të pandehurit e tjerë, duke i ashpërsuar masat e dënimit për dy prej tyre dhe dy të tjerët u shpallën fajtorë për akuza që u ishin pushuar një vit më parë. Një prej të pandehurve i deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat u gjet fajtor dhe u dënua me 10 vjet burg.

Më 4 shkurt 2022, trupi gjykues i shkallës së parë, i përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Erion Bani dhe Sokol Pina vendosi dënimin me 12 vjet burgim për të pandehurin Astrit Balliu (alias Avdyli, Sulejmani) për kryerjen e veprës penale “trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Vendimmarrja për Avdylin u gjet e pabazuar nga trupi gjykues i Apelit, i kryesuar nga gjyqtarja Igerta Hysi dhe anëtarë Iliriana Olldashi dhe Engert Pëllumbi, e cila vendosi prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve për rigjykim me një tjetër trup gjykues. Për rigjykim u kthye edhe Fatos Llatfiu, i cili ishte dënuar me tre vjet burg për moskallëzim krimi.

I pandehuri Jasin Kala (alias Avdyli) u dënua në shkallë të parë me 7 vjet burg për “pastrim parash”, ndërsa u deklarua i pafajshëm për veprat penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, me arsyetimin se nuk provohej se fakti ekzistonte.

Bazuar në të njëjtat akte, Apeli e ndryshoi këtë vendim dhe e deklaroi atë fajtor edhe për veprat që kishte marrë pafajësi. Si përfundim, Jasin Kala u dënua me 12 vjet burgim, të cilin duhet ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë.

Për të pandehurit Iskënder Sale (alias Mehmet Gjini) dhe Xhemal Shala, Apeli vendosi dënim të njëjtë prej 15 vitesh. Apeli rrëzoi edhe vendimin e pafajësisë për të pandehurin Denis Llaftiu, duke vendosur dënimin përfundimtar me 10 vjet heqje lirie dhe që ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë.

Hetimet për këtë grup nisën në vitin 2016 për dyshimet për trafik të lëndëve narkotike, por përgjimet e grupit kriminal dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër, zbuluan mes të tjerash një angazhim të të dyshuarve në mbështetjen e zyrtarëve socialistë në fushatat e tyre zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme në Dibër në 11 shtator 2016 si dhe më pas, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017 – në të cilat Partia Socialiste arriti fitoren e vet më të madhe politike në 15 vjet.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco