VIDEO-SYRI TV/ Vrasja e Lames dhe Klod Saliut, Luftar Reçi iu qëndron deklarimeve kundër Shullazit

17:21, 20/03/2023
A+ Aa A-

Shtyhet për më 3 prill ballafaqimi i Luftar Reçit me Emiljano Shullazin dhe anëtarët e tjerë të grupit që akuzohen për 3 vrasje në vitin 2005. Këtë të hënë, për herë të parë, ai doli përballë personave që akuzon duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorisë. Seanca vijoi për 5 orë me dyer të mbyllura, teksa bashkëpunëtori i drejtësisë, dha të njëjtat deklarime mbi planin dhe autorësinë e vrasjeve.

Nga SYRI TV

Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, ka ndodhur ballafaqimi mes Luftar Reçit, bashkëpunëtor i drejtësisë dhe të pandehurve Emiljano Shullazi, Viktor Imeri dhe anëtarëve të tjerë të grupit që akuzohen për vrasjen e Vajdin Lames, Artan Arsit e Klodian Saliut në 2005.

Reçi iu përgjigj pyetjeve të prokurores Elida Kaçkini e Alfred Shehu. Ky i fundit, përfaqësoi përmes Altin Dumanin, i cili ndodhej në një aktivitet të parashikuar jashtë vendit. Pavarësisht se dëshmia e Luftar Reçit, është zbardhur nga media, madje ky personazh ka dhënë edhe intervista televizive, për prokuroren Elida Kaçkini, përbënte rrezik për jetën e tij dhe procesin prezenca e medias, duke i kërkuar togave të zeza daljen jashtë salle të gazetarëve.

Pasi dëgjoi palët, Gjykata vijoi marrjen në pyetje të bashkëpunëtorit me dyer të mbyllura. Burime bëjnë me dije, se nga banka e bashkëpunëtorit të drejtësisë, përballë të pandehurve që ndodheshin në kafazin e qelqtë, Reçi ka dhënë të njëjtin version si edhe më parë për ngjarjet.

Ai ka treguar se Lulzim Berisha i ka ofruar një marrëveshje për të vrarë Klodjan Saliun që në këmbim porositësi t'i vriste hasmin në Dibër. Reçi pretendon se i njëjti personazh i ka kërkuar në shkurt të 2005, që ti gjejë kallëpe tritoli për vrasjen e Vajdin Lamajt.

I penduari thotë se bombën ai e ka përgatitur bashkë me Indrit Taullain dhe ia ka dorëzuar Emiljano Shullazit. Në sallë, procesi ka vijuar nomralisht, duke përjashtuar disa momente kur Reçi përmendte emra, duke shkaktuar reagimin nga kafazi të Viktor Imerit. Në përfundim të deklarimeve përballë pyetjeve të prokurorëve, pas 5 orësh, seanca u shty për më 3 prill, ku avokatët do të paraqiten me pyetjet e tyre ndaj Reçit.

Kujtojmë se pak javë më parë, ky i fundit, refuzoi të shkonte në gjykatë, duke i dërguar një letër kësaj të fundit. Ai sqaronte se vajtja e tij në gjyq ishte si delja në gojë të ujkut, por këtë të hënë, nën masa të rrepta sigurie, u bë shoqërimi i tij i detyrueshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco