VIDEO-SYRI TV/ Bleu vota për PS-në dhe Ballën, Llatja i Elbasanit i jep pronë publike Gentian Sharrës

13:25, 22/11/2022
A+ Aa A-

Bashkëshortja e Gentian Sharrës, i akuzuar si bashkëpunëtor i grupit të vrasësve me pagesë të Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, merr favore nga Bashkia e Elbasanit. Olta Sharra rezulton se ka përfituar kontrata qindra milionë lekë me institucionet publike, kryesisht në territorin e Elbasanit

SYRI TV

Gentian Sharra, i dyshuar më herët se ka blerë vota në favor të Partisë Socialiste në Elbasan, tashmë gjendet i arrestuar si bashkëpunëtor i grupit të vrasësve me pagesë të drejtuar nga Nuredin Dumani dhe Talo Çela.

Megjithatë, familja e tij vijon të përfitojë favore nga administrata lokale e drejtuar nga Gentian Llatja.

Në 5 maj të këtij viti, vetëm pak ditë para se Sharra të arrestohej me urdhër të SPAK-ut, familja e tij ka siguruar një kontratë qiraje për kuzhinën dhe shërbimin e gatimit për konviktin e shkollës së mesme profesionale të Elbasanit, “Luigj Gurakuqi”.

Sipas kontratës, subjekti në pronësi të bashkëshortes së tij, Olta Sharra, do të shfrytëzojë ambientin publik me sipërfaqe 153 metra katrorë, për një çmim simbolik prej 300 lekë për metër në muaj, për një periudhë 1-vjeçare.

Në qershor të vitit 2022, Policia dhe Prokuroria e Elbasanit njoftuan se kishin vendosur nën sekuestro disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të Gentian Sharrës dhe familjarëve të tij, nën dyshimet se ishin prejardhur nga aktiviteti kriminal i trafikut të narkotikëve.

Masës së sekuestros duket se i shpëtoi aktiviteti privat i bashkëshortes, me aktivitet në fushën e prodhimeve ushqimore.

Subjekti “Olta Sharra” rezulton se ka përfituar kontrata qindra milionë lekë me institucionet publike, kryesisht në territorin e Elbasanit.

Ndërkohë, biznesi vijon të jetë shumë aktiv, sidomos pas kontratës për shërbimin e ushqimit të konviktit të shkollës së mesme profesionale, të miratuar nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit.

Gentian Sharra u arrestua në 18 maj 2022, pas rrëfimeve të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Ndërkohë “Syri Televizion” zbuloi dokumente zyrtare, sipas të cilave ai kishte qenë nën përgjim nga policia për blerje votash për Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2017.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco