Si ekspozoi pengmarrja rrjetin e vrasjeve të bujshme me pagesë

Si ekspozoi pengmarrja rrjetin e vrasjeve të bujshme me pagesë

09:27, 05/10/2022
A+ Aa A-

Policia e Durrësit njoftoi të martën arrestimin e 14 personave dhe shpalljen në kërkim të 5 të tjerëve, duke ekspozuar një grup të dyshuar vrasësish me pagesë dhe një konflikt midis tyre dhe grupit të Pëllum Muharremit i njohur si “Rrumi të Sukthit”, i dyshuar si pjesë e krimit të organizuar dhe që mbeti i plagosur në një atentat së bashku me ish-prokurorin Arian Ndoja.

Në një deklaratë për mediat, policia e Durrësit dhe detaje të zgjeruara të atij që e pagëzoi si operacioni “Porositësi”, në të cilin u përfshinë policitë e Tiranës, Durrësit dhe Dibrës, duke sekuestruar në përfundim të tij armë zjarri, lëndë eksplozive, detonatorë elektrikë, lëndë narkotike, 4 automjete (dy prej tyre të blindura), dy motoçikleta dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Midis të arrestuarve janë emra që dyshohen si pjesë e krimit të organizuar, si edhe një punonjës i policisë së burgjeve në Durrës dhe një ushtarak i repartit në Pezë Helmës, Tiranë.

Pengmarrja që zbuloi vrasjet

Vëllezërit nga Durrësi Gentian dhe Indrit Beqiraj të dielën po udhëtonin me motor në autostradën Durrës-Tiranë, në një zonë të njohur për influencën e “Rrumit të Sukthit”. Në fshatin Koxhas ata u goditën nga një automjet, nga i cili dolën disa persona, të cilët më pas rrëmbyen Indrit Beqirajn.

Sipas deklaratës së policisë rrëmbyesit e lëshuan pengun në momentin që ajo rrethoi zonën dhe pengmarrësit e braktisën automjetin duke u larguar në këmbë. Policia mundi të gjente makinën e përdorur, e cila sipas saj ruan prova shkencore nga rrëmbimi dhe më tej sekuestroi automjetet e tjera të përdorura.

Me indiciet nga ky aksion Forcat Speciale RENEA zbarkuan mëngjesin e së hënës, 3 tetor, në banesën e “Rrumit”, që njihet si i forti i Sukthit, por Muharremi nuk ndodhej aty.

Policia mundi të gjente aty vetëm disa automjete, dy prej tyre të blinduara, ndërsa shpalli në kërkim Pëllum Muharremi apo siç njihet ndryshe Aleksandër Laho, i cili  dyshohet për “Heqjen e paligjshme të lirisë” ndaj Indrit Beqirajt.

Gjatë aksioni policia arrestoi 1 prej personave të përfshirë dhe përveç “Rrumit” shpalli në kërkim 2 të tjerë, ndër to një prej personave të afërt me të, Agron Bejdolli, të akuzuar po ashtu si të përfshirë në pengmarrjen e dështuar.

Por në anën tjetër vëllezërit që dyshohet se u goditën nga rrjeti i Rrumit akuzohen nga policia si vrasës të porositur. Sipas policisë aksidenti rrugor i stisur ishte përmbledhja e një sage të ngjarjeve kriminale të shënuara vitet e fundit në Tiranë dhe Durrës, në të cilat 2 vëllezërit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vepruar në formën e një grupi të strukturuar kriminal që nga viti 2021 dhe në vazhdim.

Gentian dhe Indrit Beqiraj dyshohen se merrnin pagesa nga 50 deri në 150 mijë euro për vrasje me pagesë, ndërsa arrestimi i tyre implikoi edhe persona të tjerë, të përfshirë në porositjen e vrasjeve apo veprimtarive të tjera kriminale.  Njoftimi implikon 2 vëllezërit në një ngjarje të ndodhur në zonën e Don Boskos, në Tiranë dhe një tjetër në Sukth, por pa evidentuar prova konkrete të përfshirjes së tyre.

Për një prej vrasjeve të ndodhura në Sukth, ku mbeti i vrarë Arben Mërkuri, policia evidentoi se, “Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje”.

Ata dyshohen se kishin marrë porosi edhe për vrasjen e një shtetasi dhe nipërve të tij në zonën e Don Boskos. Atentati ndodhi, por atentatorët ngatërruan objektivin dhe më 4 janar 2022 vranë Erion Çelën, ndërsa shenjestra e sulmit arriti të shpëtonte.

“Nga hetimet e thelluara rezulton se prosositësi i dy vrasjeve të mësipërme është shtetasi K. N (Kasandër Noga)., i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Ky shtetas ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit, për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve”, njoftoi policia për mediat.

Sipas saj dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H., duke u paguar paraprakisht me 3500 euro dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e saj, me 4 kg eksploziv dhe një armë zjarri automatik. Por ato u gjetën dhe u sekuestruan gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia më 3 tetor 2022.

Sipas deklaratës së policisë për mediat në kuadër të operacionit “Porositësi”,  u arrestuan Gentian Beqiraj, 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Vëllai i tij Indrit Beqiraj, 32 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal;

Po ashtu u arrestuan  Flamur B, 52 vjeç, banues në Durrës (punonjës i Policisë së Burgjeve, Durrës); Pëllumb H, 52 vjeç, banues në Fushë Krujë; Idajet H, 42 vjeç, banues në Bulqizë;  Armand D, 43 vjeç, banues në Durrës; Fatjon M, 52 vjeç, banues në Sukth; Blerim E, 51 vjeç, banues në Tiranë; Gentian Sh, 50 vjeç, banues në Durrës; Kujtim D, 64 vjeç, banues në Shijak; Alban H, 38 vjeç, banues në Durrës; Fatjon H, 39 vjeç, banues në Durrës; Armando L, 32 vjeç, banues në Durrës; Altin C, 43 vjeç, banues në Tiranë (ushtarak në repartin e Pezë Helmës, Tiranë). Gjithashtu u referuan materialet shtesë në Prokurori, për Ilirjan Feçin, i arrestuar më parë në kuadër të operacionit “Golden Bullet”.

Ndërkohë në anën tjetër u shpallën në kërkim Agron Bejdolli, 51 vjeç, banues në Durrës, Aleksander Laho alias Pellumb Muharremi, 49 vjeç, banues në Sukth, Dritan Ferra alias Dritan Muça alias Dritan Prifti, 42 vjeç, banues në Shijak,  të tre të akuzuar për pengmarrjen e Indrit Beqirajt.

Në kërkim po ashtu u shpall edhe Alban S, 39 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ndërkohë edhe 23-vjeçari Kevin Z alias Kevin S, banues në Durrës, për veprat penale ‘’Vrasja’’, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal u njoftua i shpallur në kërkim. Zeneli sipas policisë është aktualisht është në kërkim ndërkombëtar, për një tentativë vrasjeje në Belgjikë. Ndërkohë Kasandër Noga aktualisht i arrestuar në Belgjikë, u referua në polici në lidhje me akuzat e reja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco