Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Krimi terrorizon turistët në Radhimë/ Si ndodhi konflikti mes dy vëllezërve

Krimi terrorizon turistët në Radhimë/ Si ndodhi konflikti mes dy vëllezërve

09:26, 05/07/2022
A+ Aa A-

Turistë të shumtë në plazhin e Radhimës u terrorizuan nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa ngjarja pati si sfond konfliktin midis dy vëllezërve për shfrytëzimin e hotelit. Breshëritë e plumbave u regjistruan shumë pranë plazhit të njohur si “Bora-Bora” në Radhimë.

Dy vëllezër janë përfshirë në konflikt që ka degjeneruar në përdorimin e armëve për shfrytëzimin e hapësirës së plazhit. Konflikti i tyre ka shkaktuar panik edhe te pushuesit e shumtë e midis tyre edhe të huaj.

Vëllezërit Kondi nuk kishin arritur të zgjidhnin çështjen e administrimit të plazhit, ndërsa më i vogli prej tyre, Eduarti, ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të 45- vjeçarit. Pavarësisht të shtënave, fatmirësisht nuk ka pasur asnjë person të lënduar përfshirë edhe shënjestrën, 45-vjeçarin Beniamin Kondi.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 12:30. Mësohet se Eduart Kondi jetonte në Britani të Madhe dhe vinte gjatë sezonit veror për të administruar edhe vijën bregdetare

Menjëherë pas ngjarjes që rëndë, Policia shpalli në kërkim autorin e dyshuar, duke e çuar në pranga pak më vonë, në atë që ajo e konsideron kapje në kohë rekord të autorit të dyshuar. Policia ngriti një sërë postblloqesh, duke arritur të kapë autorin e të shtënave me armë. 

Policia lokale sqaroi gjithashtu se ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Përveç forcave të shumta të Policisë, në vendin e ngjarjes mbërritën edhe ambulanca, pasi dyshimeve se mund të kishte persona të plagosur, por fatmirësisht bluzave të bardha nuk iu desh për të dhënë ndihmë mjekësore pasi nuk pat asnjë person të lënduar. Pas arrestimit të 34- vjeçarit, në plazh është rikthyer normaliteti.

Një turist norvegjez, i cili po pushonte pranë bregdetit të Vlorës u shpreh i shqetësuar për atë që ndodhi. Turisti, i cili ndodhet bashkë me familjen e tij në Radhimë dhe dëshmitar i ngjarjes, tha se pati dy-tri të shtëna me armë zjarri.

“Ne dëgjuam 2-3 të shtëna dhe të gjithë vrapuam. Nuk e di nëse dikush është lënduar, sepse nuk pamë asgjë. Kishte frikë, jam me familjen këtu”, tha turisti norvegjez.

Ndërkohë, turistë shqiptarë shprehen të shqetësuar për atë që ndodhi, duke deklaruar se shumica e personave të pranishëm në plazh që kishin shkuar për të pushuar, u fshehën në vende të ndryshme, duke boshatisur për disa momente plazhin. “

Ishin edhe nja dy turistë italianë këtu. Shumë të shtëna janë dëgjuar, mbi 5-6 herë. Njerëzit u larguan dhe ikën me vrap. Unë kisha vajzën dhe djalin dhe ikëm me vrap, kurse të tjerët u fshehën këtu pas lokalit. Unë deri këtu nuk dëgjova gjë se a pati persona të lënduar. Në atë moment kishte shumë njerëz në plazh”, tregoi një tjetër.

“I thashë çupës merr djalin dhe ik. Dëgjova krisma disa herë. Policia dhe ambulanca erdhi shumë shpejt. I thashë burrit, duhet të ikim në shtëpi. Ne jemi nga Kuçova”, tha një grua.

Raste të tilla krijojnë një imazh të keq për pushuesit që zgjedhin të kalojnë pushimet në bregdet, shkruan Panorama. Administrimi i vijës bregdetare gjatë sezonit veror ka shkaktuar konflikte të shumta e shpesh të përgjakshme. Më 27 qershor të vitit të shkuar, katër persona mbetën të vrarë në Velipojë pas konfliktit për shezlongët, ndërsa qeveria ndryshoi metodën e marrjes së leje. Ngjarja ndodhi në mes të natës, por të shtënat e breshërisë së kallashnikovit shkaktuar frikë te turistët e shumtë në zonë. Nga ngjarja, humbën jetën, Kujtim Ferracaku, 59 vjeç, Edmond Gocaj, 38 vjeç, Xhovani Gocaj 25 vjeç, dhe punëtori Musaen Zeneli, 20 vjeç. Ky i fundit ndodhej rastësisht në vendin e ngjarjes. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco