Në Korçë, nëna e dyshuar për vrasjen e foshnjës së vet të sapolindur, është shoqëruar nga forcat e Policisë për në Urgjencën e spitalit, aty ku po merret në pyetje nga mjekia neuro-psikiatër Nikolina Bode, njoftoi gazetarja e SYRI TV, Sidorela Xhomaqi. Arsyeja është për të mësuar më shumë për gjendjen e saj mendore dhe psiqike.
Mësohet se gruaja ka qenë nën kontrollin e mjekëve të Qendrës së Shëndetit Mendor dhe është mjekuar pranë kësaj qëndreje, pasi emri i saj gjendet në librin e vizitave.
Sipas një burimi, dyshohet se ajo nuk ka pranuar të marrë, mjekimin e dhënë nga mjekët.
Zbulimi i trupit
Vdekja e një foshnjeje të sapolindur e ka tronditur Korçën sot, sepse vdekja dyshohet se ka ardhur nga dora e nënës që e kishte lindur, e cila ishte e sëmurë mendore.
Gazetarja e SYRI TV njofton se gruaja, banore e lagjes 15 të qytetit, dyshohet se pasi e ka lindur beben, e ka futur në një valixhe, ku ajo ka ndërruar jetë. Policia po e heton rastin dhe e ka dërguar trupin për ekspertizë.
Mësohet se i shoqi i gruas, Klodi Hasimllari, kishte një vit që punonte në Greqi si emigrant dhe para një muaji ishte kthyer. Ishte ai që konstatoi erën e rëndë dhe e gjeti trupin e foshnjës. Çifti ka dhe një fëmijë autik 15 vjeç, por as nëna, as djali nuk janë në gjendje të japin shpjegime. Gruaja është dërgua në urgjencë për ndihmë mjekësore.
Policia e Korçës njoftoi zyrtarisht se: "Në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi K. A, (emigrant në Greqi) ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Korçë, se ka gjetur në banesën e tij, në lagjen nr. 15, Korçë, një foshnjë të pajetë. Bashkëshortja e tij, e cila vuan nga sëmundje të shëndetit mendor është transportuar në maternitetin e qytetit, për ekzaminime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje."
© SYRI.net