Alvin tregon mes lotëve: Mamaja ime vdiq gjatë një bombardimi, isha pranë saj

Alvin tregon mes lotëve: Mamaja ime vdiq gjatë një bombardimi, isha pranë saj

13:35, 14/11/2019

‘Mamaja ime vdiq gjatë një bombardimi, unë isha pranë saj’.

Janë fjalët e Alvin Berishës, pas kthimit në Itali nga kampi i ish-luftëtarëve të ISIS në Siri.

Djali 11-vjeçar u mor nga nëna e tij, Valbona Berisha, kur ishte vetëm 6 vjeç, për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në Siri. Tani ai është bashkuar me babanë, Afrimin, dhe motrat, në Barzago, provinca e Leccos.

Fëmija u rikthye në vendlindje falë një bashkëpunimi ndërkombëtar të policisë italiane e organizmave humanitarë Kryqi i Kuq e Gjysmëhëna e Kuqe, me mbështetjen e qeverive italiane e shqiptare.

Para një psikologu dhe hetuesve italianë të deleguar nga shefi i anti-terrorizmit, Alvin tregoi për vdekjen e nënës së tij. Vetë Alvin do të shtrohet në spital javën e ardhshme për të operuar këmbën e plagosur nga bombardimi që i vrau të ëmën.

Nga sa është mësuar, hetuesit në konsultim me psikologun kanë vendosur të flasin pak me fëmijën, për shkak të gjendjes së shokut në të cilën gjendet ende si pasojë e traumës emotive të mësuar. Biseda tjetër me të do të jetë jo më herët se pas një muaji dhe pasi të jetë operuar.

Sot në mëngjes, përmes lotëve, Alvin tregoi se pa të ëmën të vdiste gjatë bombardimit, ndërkohë që ai shpëtoi, edhe pse ishte pranë saj. 11-vjeçari shpjegoi se bombardimi ndodhi në kohën kur ishin në një kamp tjetër refugjatësh në Siri, jo në Al Hol, prej nga u nxor për t’u kthyer në Itali. Ai nuk e mban mend kur ndodhi bombardimi, por kujton vetëm që bënte shumë vapë. Ndoshta mjekët do të jenë në gjendje të thonë diçka për kohën e shpërthimit nga mbikëqyrja e plagës në këmbë.

Pas rënies së ISIS dhe vdekjes së nënës, Alvin jetonte në zonën e jetimëve në Al Hol, kam refugjatësh në verilindje të Sirisë nën kontrollin e kurdëve, me 70 mijë persona në të, pjesa më e madhe gra e fëmijë të luftëtarëve xhihadistë të vrarë apo të burgosur. Ndoshta më pas do të mësohet se çfarë ka kaluar Alvin gjatë atyre viteve në Siri, ku ka parë gjithë tmerret e Kalifatit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco