Gazetari Jetmir Olldashi thirret nga Krimet e Rënda. Ja kur dëshmon dhe çfarë pritet të ndodhë

Gazetari Jetmir Olldashi thirret nga Krimet e Rënda. Ja kur dëshmon dhe çfarë pritet të ndodhë

17:33, 20/05/2018
A+ Aa A-

Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të thërrasë për të marrë në pyetje gazetarin Jetmir Olldashi, i cili pohoi një ditë më parë se kishte qenë ai që e kishte realizuar përgjimin e Agron Xhafaj.

Gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda tha se ndonëse të hënën në orën 10:00 është parashikuar që të merren në pyetje dy përfaqësuesit e PD-së Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji dhe më pas Gazmend Bardhi mund të ketë një ndryshim dhe gazetari Olldashi të dalë para tyre para prokurorëve të çështjes. Megjithatë dy ditët, e hëna dhe e marta do të jenë ditët vendimtare të dëshmive të katër personave të lartpërmendur.

Kujtojmë se tashmë ka një hetim pas bashkimit të dy procedimeve, atij të nisur nga Prokuroria e Tiranës për kallëzim të rremë të pretenduar nga Agron Xhafaj dhe për trafik droge të nisur nga Krimet e Rënda.

Gazetarja Lala gjithashtu theksoi se pritet që gazetarit, i cilësuar si strumbullari i çështjes t’i kërkohen të gjitha pajisjet e përdorura në përgjim, si kamera, aparate, telefona dhe materiali bruto i përgjimit. Kjo për shkak se duhen mjetet origjinale për të nxjerrë dhe një ekspertizë sa më të saktë dhe më të besueshme për zërat që dëgjohen në audio-përgjim.

Po kështu ai do të pyetet për bashkëpunëtorin Albert Veliu, takimet me të dhe çështjet e përmendura në përgjim. Pas dëshmive do të nisë edhe ekspertiza e audio-përgjimit. Gazetari Jetmir Olldashi foli një ditë më parë për itinerarin e ndjekur gjatë një projekti të nisur prej tij si investigim mbi çështjet e trafikut në Vlorë dhe i publikuar më pas nga Partia Demokratike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco