Lirimi Genc Tafilit, reagon Prokuroria: Lirimi i tij i paligjshëm, të hetojë KLD

Lirimi Genc Tafilit, reagon Prokuroria: Lirimi i tij i paligjshëm, të hetojë KLD

14:51, 07/11/2017
A+ Aa A-

Prokuroria e Krujës ka reaguar në lidhje me vendimin e gjyqtares së Krujës, Enkeleda Hoxha që ka lënë të lirë Genc Tafilin, të dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Komisarit të Policisë, Arben Zylyftari.

Reagimi i plotë i Prokurorisë së Krujës:

Gjyqtarja Enkeleda Hoxha ka pranuar kërkesen e të dënuarit Genci Tafili i cili vuante dënimin ne IEVP Fushe-Kruje për lirim para kohe me kusht dhe ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm nga vendi i vuajtjes së dënimit duke e urdhëruar atë që të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës Krujë.

Prokuroria e Krujës vlerëson vendim i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë është marrë në kundërshtim të hapur me ligjin dhe se përbën shkak që nëse çmohet si i tillë edhe nga ju të informohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë për të verifikuar veprimtarinë në kundërshtim me ligjin të gjyqtares për këtë rast.

I dënuari Genci Tafili që është liruar me kusht ka qenë duke vuajtur dënimin për veprën penale “Vrasja ne rrethana te tjera cilesuese”, parashikuar nga neni 79/c te K.Penal. Konkretisht bëhet fjalë për vrasjen e Drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari dhe i kishin mbetur për të vuajtur më shumë se tre vjet burgim.

Megjithëse ai rezulton të jetë një person me rrezikshmëri të lartë, as kjo rrethanë dhe as rrethanat e tjera të parashikuara në ligj nuk janë marrë në konsiderate nga gjyqtarja në fjalë.

Neni 64 i K.Penal, ‘Lirimi me kusht’, parashikon shprehimisht se “ ..... nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin përsëritës për krime të kryera me dashje si dhe për të dënuarit për kryerjen e veprave penale te parashikuara nga nenet 78/a, 79/a, 79/b, 79/c apo paragrafi i trete nenit 100 te K.Penal”.

Në rastin konkret megjithëse dispozita ndaluese për nenin 79/c është një dispozitë urdhëruese dhe për këtë shkak prokurori në seancë ka kërkuar që të rrezohej kërkesa e të dënuarit, në mënyrë flagrante Gjykata e ka injoruar këtë pengesë ligjore dhe në shkelje të plotë të ligjit ka urdhëruar lirimin e tij.

Vendimi i Gjykatës është ankimuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kruje që të nesërmen e dhënies së tij dhe ne do të vazhdojmë të ndjekim në vazhdimësi ecurinë e procesit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Daj Jaku07/11/2017 15:38

Po të analizohen të gjitha vendimet e gjykatave nga 1990 e mbrapa del se 90% janë në kundërshtim me ligjin. Kjo sepse ai që nuk ka të drejtë hedh më shumë para dhe blen vendimin. Gjyqtarët tanë janë thjesht tenderues, kush paguan më shumë fiton gjyqin. Prokuroria nuk paguan dhe nuk fiton. Por mëe tmerrëshmja është që gjyqtari nuk mban asnjë lloj përgjegjësie kur shkel ligjin. Vettingu që tenton të hetojë pasuritë e gjyqtarëve, përse nuk heton vendimet e tyre? Vendimet janë aty, në arshivë. Gjykatësat tanë, edhe ata të Lartët, kur shohin lekët, gjejnë "argumenta" që numrin 15 e barazojnë me numrin 16 (matematika nuk është opinion) dhe ndryshojnë kodet, pavarësisht se kompetenca nuk është e tyre por e parlamentit. Nuk ka gjë më të thjeshtë për ti vënë me shpatulla në mur por askush nuk e dëshëron një gjë të tillë (përveç popullit). Me një fjalë jemi në një bordello gjigande pa shpresë e pa rrugëdalje.

Shto koment

Denonco