Finalja e Kupës së Botës 2026 vazhdon të jetë në qendër të polemikave edhe pas përfundimit të saj. Ngjarjet që ndodhën menjëherë pas vërshëllimës së fundit në sfidën mes Spanjës dhe Argjentinës kanë tërhequr vëmendjen e FIFA-s, e cila, sipas raportimeve të disa medieve ndërkombëtare, po përgatitet të hapë një hetim zyrtar.
Në fokus të kritikave ka përfunduar sjellja e disa futbollistëve dhe anëtarëve të stafit të Argjentinës. Veçanërisht është përmendur Leandro Paredes, i cili, pasi ishte ndëshkuar me karton të verdhë gjatë ndeshjes, u përjashtua me karton të kuq pas një përplasjeje të ashpër me Gavin gjatë festimeve të futbollistëve spanjollë.
Në qendër të vëmendjes është edhe Nahuel Molina, i akuzuar se goditi Rodrin në momentin kur kapiteni i Spanjës po vraponte drejt shokëve të skuadrës për të festuar triumfin. Ky incident shkaktoi një përleshje ku u përfshinë disa lojtarë të të dyja ekipeve.
Sipas raportimeve, në incident u përfshinë edhe pjesëtarë të stafit teknik të trajnerit Lionel Scaloni. Ish-mbrojtësi i Napolit dhe Milanit, Roberto Ayala, raportohet se ka goditur me grusht Dani Olmon gjatë rrëmujës së krijuar në fushë.
Edhe pse FIFA nuk ka konfirmuar ende zyrtarisht nisjen e procedurës disiplinore, mediat e huaja bëjnë të ditur se presidenti Gianni Infantino dëshiron të zbardhë plotësisht ngjarjen dhe të identifikojë të gjithë përgjegjësit. Në ditët në vijim priten zhvillime të reja dhe nuk përjashtohet mundësia e sanksioneve të tjera disiplinore, të cilat pritet të ndezin edhe më shumë debatet rreth finales së Botërorit.
© SYRI.net