Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka vlerësuar maksimalisht rrugëtimin e skuadrës së tij në Kupën e Botës 2026, duke theksuar se arritja në finale është një sukses i madh, pavarësisht rezultatit të sfidës së fundit.
Argjentina do të përballet të dielën me Spanjën për trofeun më të rëndësishëm në futboll, por Scaloni ka insistuar se lojtarët e tij tashmë kanë bërë diçka të jashtëzakonshme.
“Shpresojmë të fitojmë, por edhe nëse nuk ndodh, ky rrugëtim ka qenë i jashtëzakonshëm për të gjithë. Është shumë e vështirë të arrish diçka të tillë”, deklaroi trajneri argjentinas.
Scaloni falënderoi lojtarët dhe stafin teknik për punën e bërë ndër vite, duke thënë se skuadra ka arritur rezultate që dikur dukeshin të pamundura.
“U jam mirënjohës përgjithmonë lojtarëve dhe stafit tim. Nuk ka qenë aspak e lehtë të arrijmë deri këtu dhe të konkurrojmë për kaq shumë vite në këtë nivel”, u shpreh ai.
Trajneri i kampionëve në fuqi shtoi se para finales u ka thënë futbollistëve të tij se kanë realizuar diçka të jashtëzakonshme dhe se ky rrugëtim duhet të shërbejë si frymëzim për Argjentinën.
Pavarësisht qetësisë së shfaqur nga Scaloni, objektivi i vetëm për finalen mbetet triumfi, pasi Argjentina synon të mbrojë titullin e fituar në vitin 2022 dhe të shkruajë një tjetër kapitull historik në futbollin botëror.
© SYRI.net