Federata e Futbollit të Iranit reagon ashpër ndaj zyrtarit amerikan pas eliminimit nga Botërori 2026

Federata e Futbollit të Iranit reagon ashpër ndaj zyrtarit amerikan pas eliminimit nga Botërori 2026

15:18, 30/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Federata e Futbollit të Iranit ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të Sekretarit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, pas eliminimit të kombëtares iraniane nga Kupa e Botës 2026.

Në një komunikatë zyrtare, federata iraniane dënoi ashpër komentet e bëra nga zyrtari amerikan, duke i cilësuar ato si të papranueshme dhe fyese.

“Iranianët janë mësuar prej kohësh me deklarata të rreme dhe trajtim të padrejtë nga zyrtarët amerikanë, prandaj askush në Iran nuk befasohet më nga këto komente armiqësore,” thuhet në deklaratë.

Më tej, federata thekson se këto qëndrime tregojnë mungesë respekti ndaj rregullave ndërkombëtare dhe parimeve që duhet të ndjekë një vend mikpritës i një turneu të madh sportiv.

“Këto fjalë tregojnë edhe një herë se autoritetet amerikane nuk respektojnë normat e së drejtës ndërkombëtare dhe parimet që duhet të udhëheqin një vend organizator të një eventi të madh sportiv ndërkombëtar,” vijon reagimi.

Federata iraniane ka kritikuar edhe faktin që zyrtari amerikan ka festuar publikisht eliminimin e Iranit nga turneu.

“Fakti që ai e feston hapur eliminimin e Iranit flet më shumë për të sesa për ekipin tonë. Është një shenjë e vogëlsisë së dikujt që nuk mund të tolerojë as praninë e një kombëtareje në turneun më të madh të botës,” thuhet më tej.

Në deklaratë kujtohet gjithashtu se trajneri i Iranit, pas ndeshjes ndaj Zelandës së Re, kishte deklaruar se SHBA nuk e dëshironte praninë e Iranit në këtë Botëror, duke e akuzuar për trajtim jo profesional dhe jo njerëzor ndaj ekipit.

Sipas federatës, deklaratat e fundit të Mullin vetëm sa e forcojnë këtë perceptim dhe konfirmojnë tensionet e krijuara gjatë turneut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco