Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare, qytetarët në protestë para Parlamentit

Maroku udhëheq revolucionin afrikan, ‘Luanët e Atlasit’ ëndërrojnë hakmarrjen ndaj Francës

Maroku udhëheq revolucionin afrikan, ‘Luanët e Atlasit’ ëndërrojnë hakmarrjen ndaj Francës

11:46, 30/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Maroku nuk mund të konsiderohet më një surprizë. Pas paraqitjes historike në Botërorin 2022, ku eliminoi Belgjikën, Spanjën dhe Portugalinë për të arritur deri në gjysmëfinale, kombëtarja afrikane po konfirmon edhe në Botërorin 2026 se tashmë i përket elitës së futbollit botëror.

Në fazën e grupeve, marokenët ndalën Brazilin, ndërsa në 1/16 e finales eliminuan Holandën pas një ndeshjeje të luftuar, që u vendos vetëm nga goditjet e penalltive. Një tjetër dëshmi se projekti i ndërtuar prej vitesh po jep vazhdimisht rezultate.

Rritja e futbollit maroken nuk është rastësi. Ajo mbështetet në një strategji afatgjatë, e cila do të kulmojë edhe me organizimin e Botërorit 2030 së bashku me Spanjën dhe Portugalinë. Në Casablanca po ndërtohet një stadium modern me kapacitet prej 115 mijë vendesh, ku mund të zhvillohet edhe finalja e turneut.

Në krye të kombëtares është Mohamed Ouahbi, trajneri që një vit më parë udhëhoqi Marokun drejt titullit kampion bote me ekipin U-20. Ai mori drejtimin e “Luanëve të Atlasit” në muajin mars, pas largimit të Walid Regragui-t, arkitektit të gjysmëfinales historike në Katar.

Megjithatë, në kujtesën e skuadrës vazhdon të mbetet episodi i diskutueshëm i Kupës së Afrikës 2025. Fillimisht Maroku humbi në fushë ndaj Bregut të Fildishtë, por më pas rezultati u përmbys në tavolinë nga Konfederata Afrikane e Futbollit. Një triumf që nuk u përjetua kurrë plotësisht nga futbollistët, të cilët pothuajse nuk e kanë përmendur atë sukses në rrjetet sociale.

Tashmë synimi është shumë më i madh. Pas eliminimit të Holandës, Maroku ka arritur në 33 ndeshje zyrtare radhazi pa humbje, duke iu afruar rekordeve të Argjentinës së Lionel Scalonit me 36 dhe Italisë së Roberto Mancinit me 37.

Një tjetër rekord është ai i futbollit afrikan. Plot nëntë nga dhjetë përfaqësueset e kontinentit kanë siguruar kalimin në fazën me eliminim direkt, shifra më e lartë në histori. Në raundin e 1/8-ave, Maroku konsiderohet favorit ndaj Kanadasë, ndërsa më pas mund të ketë përballë Francën në çerekfinale, një duel i shumëpritur pas humbjes 2-0 në gjysmëfinalen e Botërorit 2022.

Një sfidë e tillë do të kishte edhe një domethënie të veçantë emocionale, pasi shumë futbollistë marokenë janë lindur ose janë formuar në Francë. Mes tyre spikasin Issa Diop, autor i golit të barazimit ndaj Holandës, si dhe mesfushori 18-vjeçar Ayyoub Bouaddi, një nga zbulimet më të mëdha të këtij Botërori.

Talenti i Lille kishte përfaqësuar Francën në ekipet zinxhir, por vendosi të luante për Marokun falë origjinës së prindërve të tij. Përpara se të impresiononte në fushën e blertë, Bouaddi ishte dalluar edhe në shkollë si një nxënës i shkëlqyer në matematikë dhe fitues i një konkursi kombëtar të oratorisë në Pallatin Élysée.

Ashtu si Azzedine Ounahi ishte zbulimi i vitit 2022, këtë herë Bouaddi po shndërrohet në simbolin e brezit të ri. Maroku ka rinovuar skuadrën pa humbur forcën konkurruese. Nga formacioni titullar që luajti ndaj Holandës, vetëm Bono, Achraf Hakimi, Noussair Mazraoui dhe Ounahi ishin titullarë edhe në gjysmëfinalen ndaj Francës katër vite më parë.

Me Brahim Diaz që i jep më shumë fantazi repartit ofensiv dhe Youssef Saibari që po tregohet vendimtar para portës, duke shënuar në çdo ndeshje të fazës së grupeve dhe penalltinë vendimtare kundër Holandës, Maroku beson se këtë herë mund të shkojë edhe më larg. “Luanët e Atlasit” nuk synojnë më vetëm të befasojnë, por të shkruajnë historinë duke luftuar për trofeun më të madh të futbollit botëror.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco