Fluturim me vonesë dhe fytyra të zymta. Rikthimi i Gjermanisë nga Bostoni në bazën e saj stërvitore në Winston-Salem, pas eliminimit befasues nga Paraguai në Botërorin 2026, nuk shkoi sipas planit. Rrugëtimi i kombëtares gjermane në turneun botëror përfundoi edhe një herë më herët nga sa pritej, ndërsa edhe udhëtimi drejt qytetit ku Joshua Kimmich dhe shokët e tij kishin vendosur selinë e tyre u shty me pothuajse dy orë.
Për këtë arsye, mbërritja e ekipit ndodhi vonë gjatë natës. Nga avioni Airbus A220 zbritën të parët drejtuesit e Federatës Gjermane, Bernd Neuendorf, Andreas Rettig dhe Rudi Völler së bashku me bashkëshorten e tij, Sabrina. Më pas, sipas gazetës Bild, zbriti përzgjedhësi Julian Nagelsmann me stafin e tij.
Nga futbollistët, i pari që u pa ishte Jamal Musiala. Të gjithë kishin kokën ulur dhe atmosfera ishte tepër e rënduar, ashtu siç pritej pas eliminimit. Askush nuk kishte dëshirë të fliste me mediet.
Për ditën e sotme është planifikuar një konferencë për shtyp në kampusin e Universitetit Wake Forest, ndërsa futbollistët janë të lirë të kthehen në shtëpitë e tyre.
Rudi Völler konfirmoi se vazhdon ta mbështesë trajnerin Julian Nagelsmann.
"Nuk jam vetëm unë Federata Gjermane e Futbollit. Të gjithë e dinë se çfarë mendoj për Julianin. Ai mbetet një trajner i nivelit më të lartë. Jam i bindur se ai është njeriu i duhur për të vazhduar këtë projekt. Është një luftëtar. Për momentin nuk mundem dhe nuk dua të shtoj asgjë tjetër për këtë çështje. Do të ulemi sërish së bashku në ditët në vijim dhe më pas do të shohim. Sa më përket mua, ai është njeriu i duhur në vendin e duhur", deklaroi Völler.
© SYRI.net