Franca mund të ketë një bilanc pozitiv në përballjet direkte me Suedinë, por ekziston një statistikë që vazhdon të shqetësojë “Les Bleus”: në fazat finale të kompeticioneve të mëdha ndërkombëtare, francezët nuk kanë arritur kurrë ta mposhtin Suedinë.
Historia e këtij “mallkimi” nis në Kampionatin Evropian të vitit 1992. Atëherë, Franca e drejtuar nga Michel Platini, një nga favoritët e turneut, u ndal në barazim 1-1 ndaj Suedisë, në një ndeshje ku performanca e francezëve nuk përmbushi pritshmëritë. Ky rezultat ishte fillimi i një turneu zhgënjyes, që përfundoi me eliminimin e hershëm të Francës në fazën e grupeve.
Dy dekada më vonë, në Euro 2012, historia u përsërit. Franca e Laurent Blanc, e cila tashmë kishte siguruar kualifikimin për në çerekfinale, u mposht 2-0 nga Suedia, edhe pse nordikët nuk kishin më objektiva në turne. Një nga momentet vendimtare të asaj ndeshjeje ishte goli spektakolar i Zlatan Ibrahimovic-it, që vulosi një tjetër mbrëmje të vështirë për francezët.
Tashmë, Franca e Didier Deschamps përballet sërish me këtë “tabu” historike. Në 1/16-at e finales së Botërorit 2026, i cili po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, “Les Bleus” kanë mundësinë të thyejnë një statistikë që zgjat prej më shumë se tri dekadash dhe të konfirmojnë ambiciet e tyre për trofeun botëror.
Sfida ndaj Suedisë nuk është vetëm një ndeshje eliminatore, por edhe një provë psikologjike për një kombëtare që synon të shkruajë histori pa pengesat e së kaluarës.
© SYRI.net