Botërori 2026 po dhuron spektakël, surpriza dhe një numër të lartë autogolash.
Është ky një fenomen që po tërheq vëmendjen e trajnerëve, vëzhguesve dhe analistëve të merkatos, aq sa është bërë një prej temave më të diskutuara të kompeticionit.
Sipas të dhënave të publikuara në median ndërkombëtare, në fazën e parë të turneut janë shënuar tashmë 7 autogola, një shifër kjo që e kalon dukshëm edicionin e Kupës së Botës të 2022 të zhvilluar në Katar, kur në të gjithë turneun u shënuan vetëm 2 autogola.
Analistët mendojnë se këto gabime po marrin një rol vendimtar në rezultatin përfundimtar të ndeshjeve dhe janë pasqyrim i evoluimit taktik të futbollit modern.
Në listën e autorëve të autogolave në këtë edicion të Kupës së Botës janë Damiani Bobadilla (Paraguaj-SHBA), Miro Mohaim (Zvicër-Katar), Mohamed Hany (Egjipt-Belgjikë), Ayman Hussein (Irak-Norvegji), Yazan Al-Arab (Jordani-Austri), Mohamed Manaei (Katar-Kanada), Cameron Burgess (Australi-SHBA).
Në mënyrë të veçantë, në botën arabe është komentuar autogoli i mbrojtësit egjiptian Hany në ndeshjen kundër Belgjikës e mbyllur 1-1 që gjithsesi i ka lejuar ‘Faraonët’ të që mbajnë gjallë shpresat për një kualifikim për në 1/16 e finaleve.
Sipas vëzhguesve të shumtë, fenomeni lidhet direkt me evoluimin e futbollit kontemporan.
Në fakt, skuadrat moderne kryejnë aksione sulmuese gjithnjë e më të shpejta dhe agresive të bazuar në krosimet në zonë, presingu asfiksues dhe ndryshimet e vazhdueshme të pozicionit të sulmuesve.
Në këtë kontekst, mbrojtësit janë të detyruar të ndërhyjnë në fraksion të sekondës, shpesh me shumë pak kohë në dispozicion për të vlerësuar situatën.
Mjafton një devijim i pavullnetshëm, një kërcim i papritur i topit apo një mbyllje e bërë në dëshpërim e sipër për të shndërruar një aksion mbrojtës në autogol.
Ekspertët nënvizojnë gjithashtu se rritja e shpejtësisë së lojës redukton në mënyrë drastike hapësirat për gabime, duke rritur rrezikun e regjistrimit të episodeve që në të kaluarën kanë qenë më të rralla.
© SYRI.net