Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, nuk e fshehu kënaqësinë pas fitores bindëse 4-0 ndaj Arabisë Saudite në Botërorin 2026. Tekniku spanjoll vlerësoi paraqitjen e skuadrës së tij, duke theksuar se “La Roja” tregoi intensitetin dhe vertikalitetin që kishte kërkuar para ndeshjes.
“Ndeshjet janë të ndryshme, por ne duam që rezultati të jetë gjithmonë i njëjtë: të fitojmë. Kemi zhvilluar një pjesë të parë spektakolare dhe një pjesë të dytë të mirë. Kjo fitore na ndihmon të vazhdojmë të rritemi dhe të përgatitemi për sfidat e rëndësishme që na presin”, deklaroi De la Fuente.
Ai zbuloi se stafi teknik kishte insistuar veçanërisht te rritja e intensitetit dhe e ritmit të lojës pas analizës së ndeshjeve të mëparshme.
“Kishim kërkuar më shumë intensitet, më shumë vertikalitet dhe më shumë thellësi. E pamë këtë në fushë me shumë raste, shumë krosime dhe me dëshirën për ta vendosur kundërshtarin nën presion që në minutën e parë”, tha trajneri spanjoll.
De la Fuente e cilësoi suksesin si një dhuratë të bukur për ditëlindjen e tij, ndërsa vlerësoi maksimalisht përkushtimin e futbollistëve.
Tekniku spanjoll foli edhe për reagimin e ekipit ndaj kritikave të fundit, duke pranuar se lojtarët ishin të motivuar për të treguar vlerat e tyre.
“Askush nuk dëshiron që të vihet në dyshim profesionalizmi apo aftësia e tij. Reagimi i skuadrës ishte logjik. Donim të tregonim forcën tonë dhe të vazhdonim projektin që kemi ndërtuar prej kohësh”, u shpreh ai.
Në fund, trajneri konfirmoi se zëvendësimi i Lamine Yamal ishte një masë paraprake, duke theksuar se talenti i ri spanjoll është në gjendje të shkëlqyer fizike dhe gati për sfidat e ardhshme, përfshirë përballjen e rëndësishme kundër Uruguay.
© SYRI.net