SHBA-ja ka hedhur një hap të madh drejt objektivave të saj në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Australinë me rezultatin 2-0 në ndeshjen e dytë të Grupit D dhe duke siguruar matematikisht kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
Amerikanët dominuan takimin që nga minutat e para dhe kaluan në avantazh në minutën e 11-të falë një autogoli të pafat të Cameron Burgess.
Mbrojtësi australian devijoi topin në portën e tij pas presionit të vazhdueshëm të vendasve, duke i dhënë SHBA-së epërsinë e merituar.
Skuadra e Mauricio Pochettinos vazhdoi të kontrollonte ritmin e lojës dhe e dyfishoi rezultatin në fundin e pjesës së parë.
Në minutën e 45-të, Alex Freeman përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe e dërgoi në rrjetë me kokë për 2-0, gol që u konfirmua edhe pas verifikimit nga VAR.
Në pjesën e dytë, Australia provoi të reagonte me hyrjen e Nestory Irankundës dhe Connor Metcalfe, por pa arritur të shqetësonte seriozisht portierin Matt Freese.
Rasti më i mirë për australianët erdhi nga Connor Metcalfe dhe Cristian Volpato, por tentativat e tyre rezultuan të pasakta.
Nga ana tjetër, SHBA menaxhoi me qetësi avantazhin, duke krijuar disa raste të tjera me Folarin Balogun dhe Malik Tillman, ndërsa mbrojtja amerikane nuk lejoi surpriza deri në vërshëllimën e fundit.
Me këtë fitore, amerikanët ngjiten në kuotën e 6 pikëve dhe sigurojnë kalimin në raundin e 32 skuadrave, ndërsa Australia mbetet në kuotën e 3 pikëve dhe do të luajë gjithçka në ndeshjen e fundit të grupit.
Përpara mbi 66 mijë tifozëve të pranishëm në stadium, SHBA konfirmoi statusin e favoritit të grupit dhe vazhdon rrugëtimin në Botërorin e zhvilluar në shtëpi me ambicie gjithnjë e më të mëdha.
GOLAT
https://streamff.pro/v/09ca0695
https://streamff.pro/v/997c616a
© SYRI.net