Lajmi i fundit

EMRI/ Po hidhte mbeturinat, plagoset me thikë një person në Tiranë

Irani paraqet ankesë në FIFA për kufizimet gjatë Botërorit 2026

Irani paraqet ankesë në FIFA për kufizimet gjatë Botërorit 2026

14:22, 19/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Federata e Futbollit e Iranit ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA, duke protestuar ndaj kufizimeve të udhëtimit që, sipas saj, po ndikojnë negativisht në përgatitjen e kombëtares iraniane gjatë Botërorit 2026.

Incidenti më i fundit ka ndodhur para ndeshjes të së dielës kundër Belgjikës. Federata iraniane kishte kërkuar leje që skuadra të udhëtonte nga Meksika drejt Los Anxhelosit dy ditë më herët, në mënyrë që lojtarët të kishin kohë të mjaftueshme për pushim dhe përshtatje me kushtet lokale. Megjithatë, kërkesa u refuzua nga autoritetet amerikane.

Në një deklaratë zyrtare, federata iraniane theksoi se kjo nuk është hera e parë që përballet me një situatë të tillë. Edhe para ndeshjes me Zelandën e Re, skuadra ishte lejuar të udhëtonte vetëm një ditë para takimit.

“Federata Iraniane e Futbollit konsideron se këto kufizime janë të papajtueshme me parimin e barazisë së kushteve për të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe mund të ndikojnë në përgatitjen teknike të skuadrave”, thuhet në reagimin zyrtar, ku konfirmohet dërgimi i protestës në FIFA.

Për shkak të vështirësive logjistike dhe diplomatike, të cilat Irani ia atribuon administratës amerikane, kombëtarja iraniane ka vendosur bazën e saj operative për Botërorin në qytetin meksikan të Tijuanës, pranë kufirit me Shtetet e Bashkuara.

Problemet nuk përfundojnë këtu. Sipas autoriteteve iraniane, hyrja në SHBA u është refuzuar 15 lojtarëve dhe disa anëtarëve të stafit teknik e drejtues. Gjithashtu, federata kishte denoncuar edhe më herët se autoritetet amerikane kishin anuluar një pjesë të biletave që i takonin Iranit, duke kufizuar praninë e tifozëve iranianë në stadiume.

Pas ndeshjes së parë të turneut, dy futbollistë iranianë, mes tyre edhe Mehdi Taremi, u përballën gjithashtu me probleme gjatë lëvizjeve të tyre, duke shtuar tensionet mes palëve gjatë këtij Botërori.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco