Kombëtarja e Bregut të Fildishtë ka marrë një lajm pozitiv para ndeshjes së rëndësishme ndaj Gjermanisë në Botërorin 2026. Sulmuesi Elye Wahi ka siguruar vizën e nevojshme dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit për takimin e dytë të Grupit E.
Futbollistit të OGC Nice i ishte refuzuar fillimisht hyrja në Kanada për shkak të një hetimi që po zhvillohet ndaj tij lidhur me çështje të dyshuara të basteve sportive. Madje, sulmuesi 23-vjeçar ishte arrestuar dy javë para nisjes së Botërorit, duke vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në turne.
Megjithatë, situata ka ndryshuar në orët e fundit. Wahi ka marrë autorizimin për të hyrë në territorin kanadez falë një dokumenti të lëshuar nga Prokuroria e Marsejës, i cili i ka hapur rrugën udhëtimit dhe bashkimit me kombëtaren e tij.
Edhe pse hetimet ndaj futbollistit vazhdojnë dhe çështja nuk është mbyllur ende, autoritetet kanë lejuar pjesëmarrjen e tij në aktivitetet sportive. Si pasojë, sulmuesi do të mund të zbresë në fushë këtë të shtunë në sfidën e rëndësishme kundër Gjermanisë.
Prania e Wahi-t konsiderohet një përforcim i rëndësishëm për Bregun e Fildishtë, i cili synon të marrë një rezultat pozitiv ndaj njërit prej favoritëve të grupit. Sulmuesi shihet si një nga armët kryesore të repartit ofensiv dhe rikthimi i tij në dispozicion mund të ndikojë ndjeshëm në planet e skuadrës afrikane.
© SYRI.net