Një gafë e pazakontë në Botërorin 2026 i ka kushtuar shtrenjtë një telekronisti turk.
Murat Ekrem Cimen, komentator i TRT-së, është larguar nga ekipi i transmetimeve të Kupës së Botës pasi ngatërroi skuadrat gjatë ndeshjes mes Iranit dhe Zelandës së Re.
Për afro katër minutat e para të takimit, ai i quajti lojtarët e Zelandës së Re si futbollistë të Iranit dhe anasjelltas, duke shkaktuar konfuzion te shikuesit.
Gabimi u vu re menjëherë dhe videoja e komentimit u bë virale në rrjetet sociale, ku mijëra përdorues kritikuan ashpër telekronistin.
Pas reagimeve të shumta, TRT publikoi një komunikatë zyrtare duke kërkuar falje dhe duke e cilësuar incidentin si një gabim të papranueshëm për standardet e transmetuesit.
Televizioni turk njoftoi gjithashtu se Cimen nuk do të komentojë më ndeshje të Botërorit.
Sipas raportimeve, komentatori me mbi 30 vite përvojë dukej i papërgatitur për takimin dhe vetëm pasi në ekran u shfaq në plan të afërt sulmuesi iranian Mehdi Taremi, ai kuptoi se kishte ngatërruar plotësisht skuadrat.
TRT bëri të ditur se gazetari do të vazhdojë të angazhohet në programe të tjera që lidhen me Botërorin, por jo më në rolin e komentatorit të ndeshjeve.
Ndërkohë, pas valës së kritikave, ai ka mbyllur edhe llogaritë e tij në rrjetet sociale.
© SYRI.net