Përfaqësuesja e Iranit vazhdon të përballet me vështirësi të shumta administrative gjatë Botërorit 2026. Sipas agjencisë zyrtare iraniane IRNA, sulmuesi Mehdi Torabi ka konsumuar tashmë vizën e vetme të hyrjes në Shtetet e Bashkuara, pasi mori pjesë në ndeshjen e parë të ekipit kundër Zelandës së Re.
Ndryshe nga pjesa tjetër e lojtarëve, të cilët kanë marrë viza që u lejojnë hyrje dhe dalje të shumëfishta në territorin amerikan, Torabi kishte vetëm një leje hyrjeje. Për këtë arsye, Federata Iraniane e Futbollit ka nisur procedurat për sigurimin e një vize të re, në mënyrë që futbollisti të jetë në dispozicion për ndeshjet e ardhshme të kombëtares.
Raporti i IRNA-s zbulon gjithashtu se kapiteni Mehdi Taremi dhe një anëtar i stafit teknik hasën probleme në aeroportin e Los Anxhelosit gjatë largimit pas ndeshjes së parë.
Rasti i Torabit është vetëm një nga shumë problemet që delegacioni iranian ka përjetuar që nga mbërritja në Botëror. Rreth 15 anëtarëve të delegacionit u është refuzuar hyrja në SHBA, ndërsa ekipi nuk ka leje të qëndrojë në territorin amerikan pas ndeshjeve dhe detyrohet të kthehet menjëherë në kampin bazë në Tijuana të Meksikës.
Irani e nisi turneun me barazimin 2-2 ndaj Zelandës së Re, ndërsa ndeshjen e radhës do ta luajë më 21 qershor kundër Belgjikës në Los Anxhelos. Më pas, iranianët do të përballen me Egjiptin më 26 qershor në Seattle.
© SYRI.net