Kombëtarja e Iranit ka shprehur pakënaqësi të madhe ndaj organizimit pas ndeshjes së parë në Botërorin 2026, e cila përfundoi me rezultatin 2-2 ndaj Zelandës së Re.
Trajneri i iranianëve, Amir Ghalenoei, zbuloi se skuadra u urdhërua të largohej menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe të kthehej në bazën stërvitore në Tijuana të Meksikës vetëm pak orë pas përfundimit të takimit në Los Anxhelos.
Sipas teknikut iranian, ekipi kishte planifikuar të kalonte natën në Kaliforni për të ndjekur procedurat normale të rikuperimit fizik pas ndeshjes, por planet ndryshuan papritur.
“Nuk na dhanë as kohë për t’u rikuperuar. Pas ndeshjes së sotme na thanë: ‘Duhet të niseni menjëherë’. Për ne është shumë e rëndësishme të kemi kohë për rikuperim, por na kërkohet të hipim në avion dhe të kthehemi në grumbullimin tonë në Tijuana. Kjo na shqetëson shumë”, deklaroi Ghalenoei përmes një përkthyesi.
Pakënaqësinë e trajnerit e ndau edhe kapiteni i Iranit, Mehdi Taremi, i cili kritikoi kushtet e vendosura për skuadrën.
“Duhet të largohemi menjëherë nga Los Anxhelosi dhe kjo nuk është diçka e mirë për ne. Mendoj se FIFA duhet të na ndihmojë më shumë. Në fakt, për ne gjithçka është një katastrofë”, u shpreh sulmuesi iranian.
Ankesat e kampit iranian vijnë në një moment delikat të turneut, pasi skuadra sapo ka nisur rrugëtimin e saj në Botëror dhe synon të sigurojë kualifikimin nga grupi. Sipas stafit teknik, udhëtimi i detyruar drejt Tijuanës menjëherë pas ndeshjes mund të ndikojë negativisht në procesin e rikuperimit të lojtarëve dhe në përgatitjet për sfidat e ardhshme.
© SYRI.net