Trajneri i Uruguait, Marcelo Bielsa, ka bërë një deklaratë që ka ndezur debat në rrjetet sociale, pas një fotografie që u bë virale gjatë Botërorit 2026.
Në imazhin e publikuar nga FIFA, tekniku argjentinas shihej në këmbë përballë fotografëve, me kokën ulur dhe shikimin e drejtuar nga toka. Pamja nxiti interpretime të ndryshme dhe diskutime të shumta në media dhe rrjete sociale.
Pas barazimit 1-1 të Uruguait ndaj Arabisë Saudite në ndeshjen e parë të Botërorit, Bielsa u pyet për qëndrimin e tij në atë moment, por reagimi i tij ishte i drejtpërdrejtë dhe i prerë.
“Unë nuk duhet të jap asnjë shpjegim. Nuk jam model. Më fotografuan si më fotografuan. Po çfarë pyetje është kjo?”, u përgjigj trajneri uruguaian, duke shfaqur pakënaqësi ndaj interpretimit të situatës.
Ai shtoi se nuk e sheh të nevojshme të analizojë çdo detaj të sjelljes së tij publike.
“A duhet të shpjegoj edhe pse nuk shikoj drejt kamerës? Nuk mendoj se kam detyrim të tillë. Nëse dikush mban syze, i mban syzet. Nëse shikon lart apo poshtë, është thjesht një veprim natyral. Nuk kemi detyrim të sillemi si modele”, theksoi ai.
Debati u shtua edhe më shumë në rrjet, ku disa përdorues e interpretuan gjestin si një formë simbolike kundër organizimit të FIFA-s dhe situatave rreth Botërorit, përfshirë çështjet me vizat dhe sigurinë. Megjithatë, sipas raportimeve, Bielsa vetëm për disa sekonda kishte parë kamerat përpara se të ulte shikimin, një sjellje që thuhet se është tipike për natyrën e tij të rezervuar.
Trajneri argjentinas mbetet kështu në qendër të vëmendjes jo vetëm për rezultatet në fushë, por edhe për mënyrën e tij të veçantë të komunikimit dhe sjelljes publike.

© SYRI.net