Barazimi zhgënjyes i Portugalisë ndaj Rebublikës Demokratike të Kongos në ndeshjen e parë të Botërorit 2026 ka sjellë kritika të shumta për skuadrën e drejtuar nga Roberto Martinez. Në qendër të vëmendjes ka përfunduar edhe ‘ylli’ portugez, Cristiano Ronaldo, i cili nuk arriti të linte gjurmë në këtë sfidë.
Sulmuesi portugez po kërkon një rekord historik, pasi synon të bëhet futbollisti i vetëm që shënon në gjashtë edicione të ndryshme të Botërorit. Aktualisht ai ndan rekordin me Lionel Messin, me gola të shënuar në pesë turne botërorë.
Megjithatë, dëshira për të arritur këtë objektiv duket se ka ndikuar në lojën e tij. Në një nga momentet më të diskutuara të ndeshjes, Ronaldo i mohoi një rast të shkëlqyer shënimi bashkëlojtarit të tij, Bruno Fernandes, duke tentuar vetë të finalizojë aksionin.
Ky veprim nuk i shpëtoi vëmendjes së legjendës franceze Thierry Henry, i cili e kritikoi hapur portugezin.
“Është skuadra ajo që duhet të shënojë, jo ti”, deklaroi ish-sulmuesi francez, duke analizuar aksionin e diskutueshëm.
Sipas Henry, Ronaldo ka qenë në situata të ngjashme qindra herë gjatë karrierës së tij dhe duhej të lëvizte drejt portës për të tërhequr mbrojtësin, duke krijuar hapësirë për Fernandesin.
“Cristiano u vendos në trajektoren e pasimit të kthyer prapa, sepse donte të shënonte vetë. Reagimi i Bruno Fernandesit e tregoi qartë situatën. Ai dukej sikur po i thoshte: ‘Lëre topin të kalojë, bëj një lëvizje dhe krijo hapësirë që unë të shënoj’. Por kjo nuk ndodhi”, u shpreh Henry.
Portugalia pritej ta niste me fitore aventurën në Botëror, por barazimi ndaj Kongos ka rritur presionin mbi skuadrën dhe trajnerin Martinez. Ndërkohë, Ronaldo vazhdon të ndjekë rekordin historik, por kritikat ndaj paraqitjes së tij tregojnë se objektivat individualë nuk duhet të vendosen mbi interesin e ekipit.
© SYRI.net