Një histori unike vjen nga Ekuadori dhe lidhet me Botërorin e futbollit, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare për fatin e pazakontë të María del Jesús Pinargote Zambrano.
Gjithçka nisi në vitin 1998, kur ajo fitoi një konkurs promocional të Coca-Cola-s, të realizuar përmes tapave të shisheve. Çmimi ishte i jashtëzakonshëm: udhëtime falas për gjithë jetën në çdo Kupë Bote të organizuar nga FIFA, përfshirë biletat, fluturimet dhe gjithë logjistikën, si dhe mundësia për të marrë me vete një shoqërues.

Në atë kohë, María jetonte në Canuto, në kantonin Chone (Manabí), dhe sipas mediave vendase, ajo nuk kishte udhëtuar kurrë më parë me avion dhe nuk kishte dalë asnjëherë jashtë Ekuadorit. Madje, kur mori telefonatën më 14 qershor 1998 që i njoftonte fitoren, fillimisht mendoi se ishte një shaka dhe i kërkoi bashkëshortit të verifikonte lajmin.
Por gjithçka rezultoi e vërtetë.
Që nga ajo kohë, María ka ndjekur pa ndërprerje disa nga ngjarjet më të mëdha të futbollit botëror: Francë 1998, Kore-Japoni 2002, Gjermani 2006, Afrika e Jugut 2010, Brazili 2014, Rusia 2018 dhe Katari 2022. Në total, ajo ka marrë pjesë në shtatë Botërorë radhazi, një rekord i rrallë për një tifoz.

Në udhëtimet e saj, fillimisht e shoqëronte bashkëshorti, i cili fatkeqësisht është ndarë nga jeta disa vite më parë, ndërsa më vonë ka udhëtuar me familjarë të afërt.
Edhe pse Botërori 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada do të duhej të ishte pjesëmarrja e saj e tetë radhazi, mediat ekuadoriane raportojnë se problemet shëndetësore i kanë penguar këtë herë udhëtimin, duke i dhënë një kthesë të trishtuar kësaj historie të jashtëzakonshme.
E veçanta e këtij çmimi është se nuk përfshinte vetëm biletat për ndeshjet, por edhe të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit, duke i mundësuar María-s një përvojë unike: nga një grua që nuk kishte dalë kurrë nga vendi i saj, në një tifoze që ka parë botën përmes Kupës së Botës.
© SYRI.net