Portieri veteran 40-vjeçar i Kepit të Gjelbër, i cili u kthye në protagonist absolut në barazimin pa gola ndaj Spanjës në Botërorin 2026, ka marrë një lajm që e ka prekur thellë: nëna e tij ka siguruar vizën dhe do të mund të udhëtojë për ta parë nga afër në turne.
Pas ndeshjes historike, ‘gardiani’ u pa i emocionuar deri në lot, teksa shpjegonte se mungesa e nënës në stadium ishte një dhimbje e madhe për të. Ajo nuk kishte mundur të udhëtonte për shkak të procedurave të vizës dhe vështirësive financiare, përfshirë edhe garancinë e lartë të kërkuar për hyrje në SHBA.

Situata e tij preku opinionin publik ndërkombëtar dhe u kthye në një histori që kaloi përtej futbollit. Çështja u bë edhe më e madhe pasi u përfshinë figura politike në SHBA, të cilat kërkuan ndërhyrje për të lehtësuar procedurat për familjarët e futbollistëve pjesëmarrës në Botëror.
Më pas, autoritetet amerikane konfirmuan se në raste të tilla do të ketë përjashtime nga kërkesat e garancisë financiare, duke hapur rrugën për zgjidhje.
Sot ka ardhur lajmi i shumëpritur: Ana Candida Évora, nëna e portierit, ka marrë vizën dhe pritet të udhëtojë drejt turneut. Ajo do të jetë në stadium për ndeshjen e radhës ndaj Uruguait, duke e kthyer këtë histori në një moment të veçantë familjar në skenën e madhe të futbollit botëror.
© SYRI.net