Federata e Futbollit e Iranit ka vendosur të paraqesë një ankesë zyrtare në FIFA, duke pretenduar se kombëtarja po përballet me trajtim të pabarabartë dhe kufizime që po ndikojnë në përgatitjet e saj në Kupën e Botës 2026.
Pak pas barazimit 1-1 ndaj Zelandës së Re në ndeshjen e parë të Grupit G, trajneri iranian Amir Ghalenoei akuzoi organizatorët se po e vendosin ekipin e tij në kushte të pafavorshme.
Sipas tij, skuadra u detyrua të largohej menjëherë nga Los Anxhelesi drejt bazës së saj në Tijuana të Meksikës, pa pasur mundësinë të zhvillonte një seancë rikuperimi pas ndeshjes.
“Po na detyrojnë të kthehemi herët dhe kjo po e vështirëson gjithnjë e më shumë situatën tonë. Megjithatë, nuk do ta lejojmë që kjo të na ndalojë”, deklaroi Ghalenoei, duke shtuar se Irani është “skuadra më e shtypur në të gjithë Kupën e Botës”.
Pakënaqësia e iranianëve është shtuar edhe më shumë pasi kërkesa për të mbërritur dy ditë para sfidës së rëndësishme ndaj Belgjikës është refuzuar.
Sipas planit aktual, kombëtarja iraniane do të lejohet të mbërrijë në Los Anxhelos vetëm 24 orë para ndeshjes, duke kufizuar ndjeshëm kohën për stërvitje dhe përshtatje me kushtet lokale.
Në një deklaratë zyrtare, Federata Iraniane e Futbollit theksoi se programi i përgatitjeve ishte dorëzuar shumë kohë më parë, por pavarësisht kësaj, skuadra ka hasur në kufizime të vazhdueshme nga organizatorët.
“Ne besojmë se këto masa nuk janë në përputhje me parimin e kushteve të barabarta për të gjitha ekipet pjesëmarrëse dhe mund të ndikojnë negativisht në përgatitjet tona”, thuhet në reagimin e federatës.
Për këtë arsye, Irani ka vendosur t’i drejtohet FIFA-s përmes kanaleve zyrtare, duke kërkuar sqarime dhe trajtim të barabartë.
Megjithatë, federata ka bërë të ditur se ekipi do të vazhdojë të fokusohet plotësisht te ndeshja vendimtare kundër Belgjikës, pavarësisht polemikave që kanë shpërthyer jashtë fushës së lojës.
© SYRI.net